Teuta vijon përgatitjet prej disa ditësh për ndeshjen e së premtes me Laçin, e dyta në radhë në kampionat për durrsakët, që kanë një ndeshje të prapambetur me Partizanin për të luajtur. Pauza ndërkombëtare për shkak të ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese e ka ndihmuar stafin e durrsakëve që të përgatisë me qetësi këtë duel. Ditën e djeshme stafi teknik është përqendruar më së shumti në fazën ofensive, duke i vënë sulmuesit përpara portës dhe duke punuar në përmirësimin e shënjestrës dhe gjakftohtësinë në finalizim.
Lajmi i mirë vijon të jetë gjendja optimale fizike e skuadrës, teksa në këtë sfidë Longos i vihet në dispozicion edhe ish-sulmuesi i Tiranës, Aldi Gjumsi, i cili e ka shlyer tashmë pezullimin e marrë vjet ndaj Bylisit me fanellën bardheblu. Përveç anës fizike, trajneri Longo është përpjekur të punojë edhe nëaspektin psikologjik me skuadrën, duke i kërkuar sa më shumë motivim dhe duke kryer biseda specifike në këtë drejtim. Edhe ditën e djeshme para stërvitjes, trajneri ka mbajtur një fjalim të shkurtër në kuadër të mënyrës sesi skuadra duhet të qaset ndaj Laçit.
Trajneri italian kërkon të hedhë në fushë një skuadër samë energjike, teksa vazhdimisht në seancat stërvitore këmbëngul për një lojë me shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë. Duhet thënë se Laçi është si mace e zezë për durrsakët, pasi në sezonin e shkuar bardhezinjtë u kanë marrë plot 12 pikë në 4 ndeshje durrsakëve. Kështu, nesër është një “tabu” për t’u thyer.