Durrës, 27 shtator 2014 – Teuta nuk fal në Niko Dovana, mposht 2-0 Skënderbeun dhe i largohet zonës së ftohtë në tabelën e klasifikimit, duke nxjerrë edhe njëherë tjetër në pah problemet që po hasin kampionët në këtë fillimi sezoni.

Teuta këto vitet e fundit shpeshherë kishte arritur të bënte rezultat përballë Skënderbeut por duke parë ndryshimet e mëdha që kanë në cilësi këto dy skuadra në këtë sezon, në Durrës të gjithë prisnin një Skënderbe që do të diktonte ritmin. Por një gjë tillë nuk ndodhi, madje ishin djemtë e detit ata që e dominuan sfidën duke treguar se në këtë sezon diferencat mes skuadrave në Superligë janë me të vërtetë shumë të vogla.

Në Durrës takimi nisi me një ritëm shumë të lartë. Në minutën e 7-të provoi Renato Arapi nga një distancë e largët por tentativa e mbrojtësit ishte e pasaktë. Në të 13-tën Ribaj vuri seriozisht në provë Rizvanin me një goditje të fortë. Por vetëm kaq për Skënderbeun në pjesën e parë pasi minutat e mbetura u dominuan të gjitha nga skuadra e Hasan Likës. Në minutën e 20-të Teuta pati një mundësi të shkëlqyer por krosimi shumë i mirë i Ansi Nikës nuk u shfrytëzua dot nga Peposhi që me gabimin e tij nuk i la mundësi të shënonte as Erlind Koreshit. Në të 24-tën Skënderbeu për të mos pësuar duhej t’i falej portierit të tij Orges Shehi me gardianin e korcarëve që bëri mrekullinë ndaj një goditjeje të shkëlqyer nga distanca e largët të Deliallisit. Por Shehi nuk mund të bënte asgjë vetëm pak sekonda më vonë kur Aridit Peposhi e dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni model të skuadrës vendase. Koreshi gjeti shumë bukur në të djathtë të sulmit Rafael, braziliani e dërgoi topin në qëndër të zonës dhe aty Peposhi nuk mund të gabonte sërish duke kaluar Teutën në avantazh.

Për Shehin asgjë për të bërë vecse të nxirrte topin nga rrjeta. Në minutën e 30-të Peposhi ishte shumë pranë rrjetës së dytë personale por goditja e tij fluturimthi përfundoi vetëm pak centimetra jashtë. 5 minuta më pas djemtë e detit me një kryevepër të Besnik Krasniqit nga distanca i dhanë goditjen përfundimtare Skënderbeut në këtë sfidë.

Goli i dytë i shënuar nga Krasniqi është një eurogol nga më të bukurit e këtyre 6 javëve kampionat pasi një distancë mbi 30 metra Krasniqi godet në ekstremin e portës së Shehit që nuk mund të arrijë topin i cili përfundon në rrjetë dhe Teuta mposht 2-0 Skënderbeun në pjesën e parë.

Kampionët u përpoqën të reagonin por në pjesën e parë nuk arritën të vinin më në rrezik Rizvanin. Edhe në fraksionin e dytë të lojës pavarësisht disa zëvendësimeve të kryera nga trajneri Mirel Josa skuadra kampione e katër sezone të fundit nuk mundi të bënte dot asgjë përvec disa rasteve të shpërdoruara nga lojtarët bardhekuq. Madje, skuadra e Mirel Josës nuk ka qenë në gjendje të shfrytëzojë as epërsinë numerike që prej minutës së 65-të, pas daljes së Bledar Hodos me karton të kuq.

Tejet pragmatiste dhe shumë mirë e vendosur në fushë taktikisht, Teuta ka marrë maksimumin nga kjo ndeshje e vështirë për të, duke i shkaktuar humbjen e dytë korcarëve në këtë kampionat. Teuta shkon në kuotën e 7 pikëve dhe fillon të marrë frymë lirisht ndërsa korcarët mbeten në kuotën e 10 pikëve, aq sa ka edhe Kukësi për momentin.