Cheick Tidiane Tambadu pritet të jetë lojtari i parë që do t’u bashkohet “djemve të detit” në muajin janar me hapjen e merkatos së dimrit. Teuta ka gjetur praktikisht marrëveshjen me sulmuesin nga Mali që mund të luajë si në të majtë ashtu edhe në të djathtë të repartit të avancuar.Futbollisti që është pjesë edhe e kombëtares së Malit, gëzon një formë të mirë fizike, teksa cilësinë e tij më të fortë, përveç nuhatjes për gol, ka edhe teknikën.

Në vendin e tij, atë e krahasojnë edhe me yllin e Arsenalit, Aleksiz Sançez. Drejtuesit kanë përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që sulmuesi t’u bashkohet bregdetarëve. Ditën e premte, lojtari ka marrë edhe vizën dhe pritet që të mbërrijë në Durrës në katër janar, ditë kur Teuta do të fillojë me përgatitjet në terren për pjesën e mbetur të kampionatit.

Gjatë këtij sezoni, Tambadou është aktivizuar në Superligën e Malit që pozicionohet në vendet e fundit në klasifikim, ndërsa ka dalë nga Akademia e Mambos. Kjo është akademia më e madhe e futbollit në Afrikë që ka nxjerrë lojtarë të shkëlqyer, të cilët sot luajnë në klubet më të mira të Europës si Naby Keita i Lajcigut apo Mahamadou Diarra, ish-mbrojtësi i Real Madridit.

Përveç tij, drejtuesit e Teutës janë në bisedime edhe me tre lojtarë të tjerë, dy prej tyre mbrojtës dhe një mesfushor, i cili do të zëvendësojë ish-kapitenin Nijas Lena që është larguar nga skuadra. Ndërkohë, mesfushori me tipare sulmuese, Ardit Hoxhaj, që u largua nga Teuta pa u hapur merkato e janarit, u shpreh se falënderon drejtuesit për mundësinë që i dhanë të ishte pjesë e Teutës.

“Dëshiroj të falënderoj drejtuesit për mundësinë që më dhanë të jem pjesë e Teutës. Kalova 6 muaj shumë të bukur këtu. Kushdo lojtar që i paraqitet mundësia për të qenë pjesë e Teutës, i sugjeroj të mos hezitojë sepse këtu kushtet janë të shkëlqyera për të luajtur futboll. Unë u largova për arsye sepse nuk u aktivizova aq sa doja dhe tani do të shohim ofertat. Gjithashtu një falënderim edhe për tifozët ‘Djemtë e detit’ që na kanë qëndruar gjithmonë pranë”, tha vlonjati.