Klubi i Teutës ka bërë një lëvizje të rëndësishme në merkato, teksa ka përforcuar radhët e sulmit. Realdo Fili, një emër i njohur për futbollin shqiptar, është bërë pjesë e bregdetarëve.
Futbollisti i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e klubeve si Apolonia, Partizani, Kamza, Skënderbeu e Luftëtari në elitën e futbollit shqiptar, në vitet e fundit provoi eksperienca jashtë. Ai fillimisht shkoi te Botoshani në Rumani e më pas te Çernomorets Odesa në Ukrainë.
Pas kësaj eksperience të fundit, Fili ishte në kërkim të një skuadre dhe më së fundmi duket se ka gjetur akordin me durrsakët, duke u vënë që sot nën urdhrat e trajnerit Diego Longo.