Nuk humbet kohë skuadra e Teutës dhe fillon të “mbushë” hapësirat që u krijuan nga largimi i disa lojtarëve kryesorë në sezonin e kaluar. Kjo është strategjia që po ndjekin drejtuesit e skuadrës durrsake dhe duket se po funksionon më së miri. Afrimi i radhës mban emrin e Esin Hakajt, i cili ditën e djeshme është parë në stërvitje me ekipin durrsak.Ish-mbrojtësi i Partizanit në sezonin e kaluar nuk pati shumë mundësi për të treguar veten me të kuqtë dhe ka pranuar me kënaqësi ofertën që i është bërë nga Teuta. Ai e sheh si një mundësi të artë për të treguar vlerat e tij dhe për të rigjetur formën.Me transferimin e Kotobellit te Partizani, në skuadrën e Teutës mbeti i lirë vendi në mbrojtjen e krahut të majtë dhe drejtuesit nxituan për të afruar një futbollist tipik të këtij roli.

Interesant është fakti që transferimi erdhi nga Partizani, sepse Hakaj nuk do të kishte më asnjë shans për të luajtur në ekipin e kuq pas transferimit të Kotobellit dhe prezencës së të tjerëve aty. Në këtë mënyrë, futbollisti me origjinë shkodrane do të mbrojë ngjyrat e bluve të Durrësit.20-vjeçari e ka nisur aventurën te Vllaznia dhe u aktivizua aty për dy sezone. Dy vite më parë ishte një nga lojtarët më të aktivizuar te kuqeblutë duke tërhequr vëmendjen e skuadrave kryesore dhe Partizani e afroi menjëherë. Megjithatë, tek të kuqtë nuk pati shumë hapësira dhe 20-vjeçari mori vendimin për t’u larguar.Teuta është duke vazhduar përgatitjet për sezonin e ardhshëm dhe pritet që gjatë këtyre ditëve të mbërrijë në Durrës dhe Oluasina Abe Sundai, nigeriani i cili shihet si një përforcim shumë i rëndësishëm për sezonin e ri.