Teuta nuk gabon dy herë radhazi në kampionat dhe pas humbjes kundër Flamurtarit dy javë më parë, arrin të bëjë kthesën dhe të marrë tri pikët kundër Vllaznisë. Një sukses që erdhi falë golit të vetëm të realizuar nga sulmuesit brazilian Xhonatan. Një debutim ëndrrash për 27-vjeçarin amerikano-jugor, i cili shpërbleu besimin e trajnerit Gugash Magani, i cili e aktivizoi që nga minuta e parë të dielën në “Niko Dovana” kundër Vllaznisë. Suksesi i fundit në kampionat i dhënë të drejtën Teutës të marrë vendin e 4-t në renditje, 2 pikë më pak se Tirana dhe dy më shumë se Kukësi, që pozicionohet i 5-ti në tabelën e klasifikimit.
Ndërkohë që fitorja kundër Vllaznisë është “harruar” tashmë nga të besuarit e trajnerit Gugash Magani. Kjo pasi sfida e radhës është në prag, e pikërisht kundër Kukësit, një rivali direkt në luftën për Kupat e Europës. Takimi që do të zhvillohet në transfertë do të nisë nga sot të marrë vëmendjen maksimale nga Teuta, ndërsa nga ana e stafit teknik kërkohet nga lojtarët të qëndrojnë me këmbë në tokë. Kundër Kukësit, “djemtë e detit” kanë fituar së fundmi në ndeshjen e parë çerekfinale për Kupën e Shqipërisë, ndërsa synimi është që të merret një rezultat pozitiv edhe në përballjen e radhës për kampionat. Teuta deri tani ka zhvilluar një sezon mjaft pozitiv, edhe pse nga ana e trajnerit Magani është përsëritur shpesh fakti se ende nuk është arritur asgjë, pasi llogaritë bëhen në fund të sezonit. Nga sot, Teuta do të nisë seancat stërvitore, ndërsa para saj do të analizohet edhe ndeshja e fundit zhvilluar në Durrës kundër Vllaznisë.