Starti i shkëlqyer i sezonit nuk ka mjaftuar, sepse Teuta do të jetë edhe më e fort në javët në vazhdim.

Talenti nga Irani, Reza Karimi, më në fund është bashkuar me skuadrën në stërvitje. Sulmuesi 19-vjeçar është transferuar në formë huazimi nga Skënderbeu, pas marrëveshjes së arritur nga klubet përpara startit të sezonit, por lojtari është vendosur nën urdhërat e trajnerit Magani vetëm pas zgjidhjes së çështjes së dokumentacionit.

Reza Karimi do të luajë me Teutën deri në fund të sezonit, me objektivin për të rritur cilësinë në sulmin e durrsakëve, ndërsa Skënderbeu ka gjetur mënyrën më të mirë për të bërë të mundur që sulmuesi të ketë sa më tepër minuta në fushë. Talenti iranian është një futbollist tek i cili në Korçë besojnë shumë, por që prej regjistrimit me skuadrën gjatë Janarit të këtij viti ka vuajtur për të gjetur hapësira.

Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ai u aktivizua në 6 ndeshje si zëvendësues, për një total prej 66 minutash në fushë. Te Teuta e yjeve të rinj Reza Karimi pritet të jetë në abitatin natyral, për të zhvilluar një sezon si protagonist dhe për të realizuar hopin cilësor në karrierë.