9 maj 2015 – GOLAT: Çota 45′, Peposhi ‘67/ Pejiç 12′ 41′ 51′
TEUTA: Rizvani, E. Hoxha, Kastrati, Kotobelli, R. Hoxha, Hodo, Beqja, Peposhi, Deliallisi, Hoxhallari, Çota; Trajner: G.Begeja;
KUKËSI: Halili, Hallaçi, Shameti, Malota, Mici, Xheferson, Musolli, Lushtaku, Zeqiri, Hysa, Pejiç; Trajner: M.Radanoviç
GJYQTAR: Laver Alla
Teuta ka humbur ndaj Kukësit në 'Niko Dovana' në një ndeshje luftarake dhe me tension, por durrsakët nuk kanë arritur një fitore që do t'i siguronte edhe mbijetesën. Tashmë pas kësaj humbjeje dhe fitores së Apolonisë, Teuta ndodhet vetëm një pikë larg zonës së ftohtë duke komplikuar kështu situatën dhe vetëm fitorja me Apoloninë javën e ardhshme në një duel për jetë a vdekje mund të sigurojë mbijetesën në superiore të durrsakëve.
Pjesa e parë ishte e mbushur me ritëm të lartë dhe raste nga të dyja ekipet. Kukësi tregohet më i kthjellët dhe në minutën e 12-të gjen golin e avantazhit. Verilindorët nisin një aksion me pasime të shumta, Xheferson pason për Musollin në të djathtë i cili kontrollon fillimisht topin dhe e dërgon drejt qendrës ku Pejiç i cili nuhat pasimin dhe godet me të djathtën nga 16 metra duke e dërguar topin në rrjetë. 0-1 për Kukësin. Edhe pas golit të shënuar janë sërish kuksianët ata që sulmojnë. Teuta gjithashtu mundohet të dalë përpara me kundërsulme. Në minutën e 40-të, Musolli pengohet në zonë dhe arbitri akordon penallti. Goditjen e merr përsipër Pejiç që dyfishon shifrat. Megjithatë përgjigjja e durrsakëve nuk vonon dhe në minutën e 45-të Çota ngushton diferencat duke e mbullur pjesën e parë 2-1 në favor të Kukësit.
Me fillimin e pjesës së dytë është sërish kroati Pero Pejiç që shënon golin e tretë personal në këtë sfidë duke çuar shifrat në 3-1 për Kukësin. Teuta nuk dorëzohet dhe vazhdon të shpresojë. Peposhi në minutën e 67-të ngushton diferencat duke rihapur përsëri takimin. Goli i Peposhit i jep më shumë zemër durrsakëve që hidhen edhe në kërkim të golit të barazimit. Pavarësisht presionit të durrsakëve, Kukësi arrin të menazhojë rezultatin dhe të marrë 3 pikë të rëndësishmë që e ndihmojnë të qëndrojë sa më afër objektivit Europë. Teuta tashmë ndërlikon punët pasi një humbje me Apoloninë në javën e ardhshme do të ishte fatale për ekipin e Begejas.
Në ndeshjen e ardhshme Teutës i duhet patjetër fitorja ndaj Apolonisë për të siguruar mbijetesën pasi edhe një barazim do ti rrezikonte djemtë e detit pasi duelin e fundit durrsakët e luajnë në Tiranë ndërkohë që fierakët luajnë me Laçin.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/