Në “Niko Dovana” Teuta është dorëzuar para Tiranës dhe ka zbritur në vendin e tretë në klasifikim. Bardheblutë triumfuan me rezultatin e pastër 2-0 dhe i afrohen Laçit të vendit të katërt me tre pikë, duke shpresuar për një vend në kupat e Europës. Durrsakët nuk bënë një ndeshje të mirë, përballë një Tirane kërkuese dhe më konkrete.
Ky duel u vendos nga dy ish-lojtarë të Teutës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0. Ndërkohë duhet të shkonte minuta e 79-të, kur Idriz Batha me një perlë nga goditja e dënimit, kaloi në avantazh Tiranën.Për të vulosur sfidën mendoi Hoxhallari, me një goditje të kalibruar nga brenda zonës. Me këtë fitore, Tirana u ngjit në kuotën e 46 pikëve, ndërkohë që Teuta zbret në vendin e 3-të me 52 pikë.





