Teuta përballet të dielën me Luftëtarin në një ndeshje vendimtare për mbijetesën, por skuadra durrsake duhet të bëjë llogaritë me dëmtimet e pezullimet. Nga transferta e Korçës, ekipi bregdetar humbet dy elementë, shtyllë të ekipit. Bëhet fjalë për Gerhard Prognin dhe Arbër Çyrbjan. Dy lojtarët janë ndëshkuar me kartonë të verdhë në takimin me Skënderbeun. Për të dy ishte kartoni i tretë dhe automatikisht do të mungojnë në ndeshjen e së dielës me gjirokastritët.
Në dyshim për këtë ndeshje është edhe Fabjan Beqja. Mesfushori 24-vjeçar është dëmtuar në takimin e fundit. Nuk dihet nëse ai do të jetë gati për sfidën e së dielës, pasi duhet të shihet gjendja e tij dhe më pas të vendoset, nëse mund të jetë në fushë apo jo. Duke e llogaritur si mungesë, Gugash Magani mendon që në vend të tij, gjithmonë nëse mesfushori nuk ia del, të aktivizojë Hodon. “Veterani” është një alternativë e mirë për zëvendësimin e Beqjas në mesfushë.
Edhe pse mund të jetë me tre mungesa, Teuta do të ketë edhe një “përforcim”. Bëhet fjalë për Blerim Kotobellin. Lojtari ishte në dyshim për takimin me korçarët, ndonëse ishte riaftësuar nga dëmtimi. Por Magani vendosi të mos e aktivizonte kundër Skënderbeut, për të mos rrezikuar tjetër dëmtim. Gjithsesi, lojtari është gati për gjirokasritët dhe do të jetë në fushën e lojës. Aktualisht Teuta është në kuotën e 27 pikëve dhe nëse mund Luftëtarin, atëherë ngjitet në kuotën e 30 po aq sa edhe gjirokastritët që janë të katërtit në renditjen e përgjithshme të Kategorisë Superiore. Që do të thoshte gjithashtu, jo vetëm mbijetesë, por edhe Europë.