DURRËS, 1 dhjetor 2014 – Teuta ka humbur 0-1 në Niko Dovana përballë Partizanit e tashmë durrsakët zbresin në vendin e tetë të klasifikimit pasi Vllaznia me fitoren e arritur ngjittet në vendin e shtatë. Loja ka qenë e ndezur, me sulme e kundërsulme në të dyja portat respektive. Partizani e nis me agresivitet sfidën, duke e mbajtur Teutën në gjysmëfushën e saj, por mungon rrezikshmëria në përmbylljen e aksioneve. Pavarësisht ritmit të lartë të imponuar nga të kuqtë rasti më i rrezikshëm i pjesës së parë u shënua në minutën e 34-t, pas një pasigurie të mbrojtjes vendasve, por që nuk shfrytëzohet si duhet nga Fejzullahu. Me fillimin e pjesës së dytë dicka ka ndryshuar te durrsakët. Ata janë më kërkues dhe e zhvendosin lojën në gjysmëfushën e Partizanit. Trajneri i rikthyer në stolin e “djemve të detit”, Gentian Begeja, bën zëvendësime dhe përforcon sulmin, duke treguar se synon maksimumin e mundshëm, pra tri pikët. Teuta është më e qartë në lojën e saj, madje i afrohet golit në minutën e 49-të me Erand Hoxhën, i cili nuk gjen kuadratin me një goditje me kokë brenda zonës. Në të 55-ën provon Mile, por tentativa e tij bllokohet lehtësisht nga Hoxha. Në të 62-ën pas një kundërsulmi të shpejtë tre futbollistë të Partizani gjenden përballë një mbrojtësi të Teutës, por Bunjamin Shabani preferon të godasë vetë duke shpërdoruar një mundësi të artë për të kuqtë.
Në aksionin pasardhës Emilinao Vila del përballë Rizvanit dhe çuditërisht godet shtyllën pingule edhe pse e kishte më të lehtë për ta dërguar topin në rrjetë. Mirëpo, të kuqtë janë treguar si edhe në të shkuarën mjaft dinakë, pragmatisë dhe përmes kundërsulmit e kanë ndëshkuar Teutën. Në momentin më të mirë të lojës së durrsakëve, kur po e kërkonin me ngulm zhbllokimin e rezultatit, godet Partizani i Duros. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe rrëmuje në zonën vendëse, Osmanaj arrin të shënojë dhe të bëjë që të shpërthejë në delir tifozëria e kuqe. Pas këtij momenti Teuta sheh më shumë nga porta e Partizanit, por lë shumë hapësira prapa, siç ndodhi në minutën e 80-të, kur kapet nga befasi nga të kuqtë sërish nëpërmjet kundërsulmit, por goditja e Emiliano Vilës devijohet në këndorë nga Rizvani.
Në minutat e mbetura Teuta bën gjithçka për golin e barazimit, madje në minutën e 3 shtesë për pak befason Hoxhën me Premcin, por topi përfundon ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portës së Hoxhës. Përfundimisht 0-1 në “Niko Dovana”, ku të kuqtë festojnë tri pikë për kreun e klasifikimit, ndërsa durrsakët janë të detyruar të pajtohen me humbjen. Vendi i tetë mbetet renditja e bregdetarëve pas kësaj jave.
/d.a. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





