Tiranë, 20 Shkurt 2014 – Teuta ka humbur 2-0 ndaj Partizanit i cili bashkë me tre skuadra të tjera marrin kreun e klasifikimit me 10 pikë ndërsa Teuta zbret në vendin e tetë me 4 pikë.

Teuta e nis rrezikshëm lojën, ku e vendos në vështirësi ekipin e Partizanit. Të kuqtë nuk dalin dot në lojën e tyre për rreth 15 minuta. Ka qenë Nika që provon për Teutën nga goditja e dënimit, por pret Hoxha. Më pas ka qenë Mazrekaj që kroson në zonë, Batha devijon, dhe aty Vila me kokë e dërgon topin jashtë mbi traversë. Teuta lëviz shpejt në sulm. Nika nga e djathta futet bukur nga e djathta dhe kroson, Shabani godet jo mirë, pret Hoxha. Janë minuta që flasin për durrsakët, por pa rrezikshmërinë e duhur. Pepa nga e majta kroson në zonë, Nika godet lehtë, pret sërish pa vështirësi Hoxha. Mesfushori i skuadrës së Partizanit, Mazrekaj kroson në zonë, Cuculi dhe Raçiç nuk merren vesh më njëri-tjetrin, duke humbur një mundësi të mirë. Pas një rrëmuje në zonën e rreptësisë së Teutës, Nexhipi humbet një rast të pastër, pret Risvani.

Mazrekaj kalon Krasniqin dhe futet në zonën durrsake, godet, por topi përfundon ngjitur me portën. Fazliu del përpara portierit Rizvani, godet fort, por portieri durrsak tregon reflekse duke e larguar me këmbë topin.

Pas minutave të para, Partizani tregohet i rrezikshëm në sulm. Janë momente që flasin për të kuqtë. Pak minuta para fundit të pjesës së parë do vijnë edhe dy gola të shpejtë. Raçiç përfiton në zonën e durrsakëve pas një rrëmuje të ardhur pas një krosi në zonë. Topi i ardhur te sulmuesi serb shfrytëzohet mjaft mirë nga ky i fundit duke kaluar në avantazh ekipin e tij, 1 me 0. Partizani hidhet në sulm, dhe si rrjedhojë Raçiç del përballë portierit të Teutës. Sulmuesi jep një asist për Fazliun, i cili shënon golin e dytë, 2 me 0.Me dy gola në avantazh, të kuqtë mbyllin pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Teuta është më sulmuese, ku ndërrimet e kryera nga Lika i japin më shumë forcë skuadrës. Kotobelli për Teutën jep një kros në zonën e Partizanit, por goditja me kokë e Nikës përfundon jashtë mbi traversë. Dita provon për bregdetarët nga jashtë zonë, por topi përfundon jashtë portës së mbrojtur nga Hoxha. Edhe pse sulmon, Teuta është e paqartë në sulm. I futur në pjesën e dytë, Rafael tregohet i rrezikshëm për Teutën ku mund të fitonte edhe një 11-metërsh, por nuk mendon kështu gjyqtari. Në të 72-ën, Mazrekaj depërton bukur, pason në zonë te Raçiç, por ky i fundit godet jo saktë. Minutat e fundit nuk sjellin ndryshim në rezultat edhe pse Teuta është më këmbëngulëse. Partizani në këtë pjesë u mundua më shumë të ruante rezultatin se sa të sulmonte për shënimin e golit të tretë.

/Agjencia e lajmeve Dyrrah/