DURRES– Teuta mundet në shtëpi nga Apollonia, ndërsa durrsakët gjejnë një portier mjaft të talentuar, i cili mendohet se do të jetë pasardhësi i Rizvanit. Bëhet fjalë për Elhan Kastrati, vetëm 15 vjeç.
Në këtë miqësore durrsakët zhvilluan një lojë të mirë, por nuk mundën të ishin konkretë përpara portës. Ndërkohë fierakët kishin ardhur të mirëorganizuar dhe me një lojë të mirë arritën të mbronin rezultatin e arritur në minutën e 10-të të pjesës së parë.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta, goli i sulmuesit fierak Dushkut që u shënua në minutat e para të ndeshjes, ngeli i vlefshëm deri në përfundim të takimit. Loja nisi e shpejtë nga të dyja skuadrat, dhe brenda pak minutash të dy ekipet do t’i vizitonin portat respektive nga dy herë, por pa qenë të saktë përpara saj.
Në një moment shpërqëndrimi, mbrojtja durrsake gabon në rreshtim dhe Dushku nuk fal, duke çbllokuar rezultatin. Në shënimin e golit pati meritë edhe Prifti, i cili pasoi në mënyrë perfekte për sulmuesin fierak, ndërsa ky i fundit me një goditje mjaft të kalibruar e dërgoi topin në rrjetë 0-1.
Magani kërkon reagim, por sulmuesit e tij Mancaku dhe Xhafa, nuk po gjenin dot hapësira në mbrojtjen kundërshtare. Megjithatë, vendasit e rritën presingun dhe u shfaqën shpesh përpara portës së portierit Ëilson Cakoviç, por ky i fundit e mbajti atë të paprekur.
Në minutën e ‘20 Mancaku pengohet brenda zonës dhe kërkon penallti, por për gjyqtarin gjithçka ishte e rregullt. Në pjesën e dytë Magani bëri disa zëvendësime, por të njëjtën gjë bëri edhe kolegu i tij Elidon Demiraj. Edhe pjesën e dytë loja nis vrrullshëm. “Djemtë e detit” ishin më këmbëngulës dhe i mbyllën miqtë në gjysmëfushën e tyre, por ndërsa bënin presing linin mjaft hapësira në prapavijë.
Madje rezultati mund të kishte ndryshuar në favor të skuadrës mike, gjë që nuk u lejua nga portieri durrsak, Elhan Kastrati. Ky i fundit me talentin e tij ka bindur drejtuesit e klubit të Teutës ta aktivizojnë rregullisht gjatë këtyre ndeshjeve miqësore, ndërsa 15-vjeçari nuk ka zhgënjyer me paraqitjen e tij.
Kështu Teuta e ka mbyllur serinë e miqësoreve me humbje, ndërkohë që durrsakët do të përpiqen të bëjnë autokritikë ndaj Bylisit.