3 maj 2015 –Skënderbeu hedh një tjetër hap drejt titullit duke mos kursyer as Teutën, që është në garë për mbijetesën.

Skuadra korçare fitoi 4-2 duke mos gabuar në ndeshjen shtëpiake, që e afron me titullin e pestë radhazi. Me durrsakët ishte një ndeshje spektakolare, pavarësisht se në minutat e para dy ekipet u vunë në pritje të njëra-tjetrës. Ndeshja ndryshoi në minutën e 19-të, kur Stojkov pati rastin e parë por nuk shënoi përballë Rizvanit, ndërsa në vazhdimin e aksionit ishte Berisha që gjeti në rrugën e tij Rizvanin. Pak sekonda më pas Berisha provoi sërish por Rizvani dhe njëherë tjetër ia dha përgjigjen, me pritje. Në të 30-tën, Shkëmbi lëshoi një silur nga distanca, me topin që “shkundi” traversën.

Gjithsesi goli nuk vonoi për Skënderbeun, që kaloi përpara me një finalizim të Latifit, që shfaqi gjithë klasin e tij me një goditje me të brendshmen. Teuta, që ishte kufizuar kryesisht në mbrojtje e arriti barazimin në fundin e pjesës së parë, pas një goli rokambolesk të Kotobellit. Entuziazmi i durrsakëve zgjati vetëm në dhomat e zhveshjes, sepse që në të 48-tën, Martins ktheu përpara Skënderbeun. Berisha që në pjesën e parë ishte ndalur nga Rizvani, në të 51-tën gjeti goditjen që mposhti portierin e Teutës. Teuta rihapi sërish ndeshjen me një parabël të Peposhit, përpara se Shkëmbi, dhe me bashkëpunimin e Sefës të mbyllte përfundimisht ndeshjen. Skënderbeu mund të kishte shënuar dhe golin e 5-të por Lilaj goditi shtyllën.

Gjithsesi dhe 4-2 ishte mëse i mjaftueshëm për Skënderbeun për t’u shkëputur në +6 nga Tirana, në pritje që bardheblutë të luajnë derbin e fundit me Partizanin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/