Kukësi-Teuta  3-0
Golat: Boja 39′, 90+3′, Cikalleshi 69′
Gjyqtarë: R.Sadiku, E.Barushi, R.Preca

Durrës, 5 prill 2014– Teuta ka humbur thellë në Kukës, ku blutë e drejtuar nga Sulejman Starova kanë arritur të shënojnë tre gola dhe kanë bërë një lojë të bukur. Përballë tifozërisë vendase dhe një ekipi mjaft të fortë si Teuta, Kukësi arrin të surprizojë. Dopieta e Bojas dhe goli i Cikalleshit, i kanë shkaktuar humbjen Teutës dhe i kanë dhënë tre pikë Kukësit që konsolidon pozicionin në vendin e dytë në klasifikim. Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar dhe të dyja ekipet nuk kanë patur raste shënimi të rrezikshme, derisa në një kundërsulm përfiton Boja që shënon golin e parë në minutën e 39-të.

Pjesa e dytë ka filluar e vrullshme për durrsakët që janë tepër agresivë dhe sulmojnë me forca të shumta në kërkim të barazimit, ndërkohë që Kukësi luan mjaft mirë dhe synon të godasë me kundërsulme të shpejta duke përfituar nga gabimet e kundërshtarit. Ka qenë Cikalleshi që ka dyfishuar rezultatin duke i prerë shpresat durrsakëve për të arritur barazimin.

Në minutat në vazhdim, edhe pse është përpjekur, Teuta nuk arrin të krijojë shumë raste shënimi, ndërkohë që kuksianët menaxhojnë lojën e në sekondat e fundit të kohës shtesë protagonist bëhet sërish Bojan që vulos 3-0 fitoren e Kukësit. Pas ndeshjes, trajneri i djemve të detit Biturku u shpreh se nota për këtë ndeshje ishte negative për të gjithë, ndërkohë që sytë dhe shpresat e Teutës tashmë janë vetëm tek Kupa e Shqipërisë.

“Mendoj se pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar. Ne gabuam dhe i dhamë shansin ekipit të Kukësit. Në pjesën e dytë ne u munduam të reagonim, por Kukësi na goditi me kundërsulm. Bravo Kukësi sepse ka bërë një ndeshje mjaft të mirë. Tani na duhet të analizojmë situatën dhe të kërkojmë të kualifikohemi me çdo kusht në Kupën e Shqipërisë. Tani na ka ngelur vetëm Kupa, sepse në kampionat jemi pak të shkëputur. Duhet të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv dhe të shkojmë në Evropë. Në ato momente pashë që Hodo u lodh shumë, por mendova që ta lë pak pushim, sepse kemi një ndeshje tjetër shumë shpejt. Kam besim të plotë se ekipi i Teutës do të jetë në finalen e Kupës. Kemi pësuar tre gola, sepse mendova për të sulmuar Kukësin. I vë vetes notë negative, por edhe të tjerëve”,- tha Biturku.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/