23 nëntor 2014 –  Teuta ka humbur 3-0 në Laç në një ndeshje ku loja e durrsakëve u kompromentua që në minutën e 12 kur Kotobelli u ndëshkua me të kuqe e kështu Laçi ka arritur fitoren përballë durrsakëve që kanë luajtur me 10 lojtarë për 78 minuta. Takimi i luajtur në fushën e bardhezinjve nuk kishte histori sepse kurbinasit u imponuan me 3 gola në portën e djemve të detit, të cilët u mposhtën që në pjesën e parë të kësaj transferte. Laçi sulmon që në fillim kur ishte Certkovic ai që rrezikoi në minutën e 9 por Rizvani bllokoi goditjen e tij. Ndeshja mori rrjedhë të pakthyeshme 3 minuta më pas me ndërhyrjen e rëndë të Kotobellit në dëm të Elton Dokut. Karton i kuq për lojtarin e skuadrës durrsake, e cil;a vuajti inferioritetin numerik për 78 minuta. Goli vendas nuk vonoi shumë sepse në të 25-ën, pas një krosimi të harkuar nga e majta, Migen Memelli kërceu në zonë duke shënuar me kokë golin e parë të sfidës. Pak sekonda më vonë mbrojtja e Teutës u kap sërish në befasi dhe ishte Cetkovic ai që shënoi golin e dytë. Laçi e zhvendosi lojën në gjysmëfushën e miqve në kërkim të golit të tretë duke ushtruar presion në çdo top, por pjesa e parë u mbyll me këtë avantazh që i lejoi skuadrës se Cungut të shkonte e qetë në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë ishte më e qetë. Në minutën e 57 Jetmir Sefa rrezikoi portën mike, ndërsa 4 minuta më vonë Peposhi krosoi nga e majta një top në zonën kurbinase por Klaudio Hyseni u tregua i pasaktë. Në të 80-ën ishte radha e nigerianit Charles Ofoyen që shfrytëzoi saktësisht një pasim të Sefës duke thelluar shifrat në 3-0. Minutat në vazhdim, Laçi kontrolloi sfidën duke kursyer energji të nevojshme për javët e ardhshme, ndërsa Teuta u tregua e pafuqishme  për të rivalizuar ekipin e Armando Cungut që ngjitet kështu në kuotën e 19 pikëve, ndërsa Teuta mbetet 13 duke rrezikuar zonën e ftohtë.