Me mjaft interesim u prit ndeshja tradicionale e Teutës me Tiranën. Ky ishte takimi i parë që zhvillohej në Niko Dovana në këtë sezon. Më parë djemtë e detit fitonin në Peqin ndaj Shkumbinit vendas 1-0 dhe humbën thellësisht në Gjirokastër 4-1. Kjo humbje i kushtoi edhe pankinën teknikut Hasan Lika. Ndeshja e 14 shtatorit ishte përuruese për trajnerin durrsak

Gentjan Begeja dhe shpresat ishin të mëdha që ai ta fillonte mbarë prezantimin e tij. Ndeshja është transmetuar në mediat vizive dhe është parë e dëgjuar nga sportdashësit. Mbase në këto rradhë nuk marrim përsipër të bëjmë komentin dhe analizën e 90-të minutave, pasi është gjykuar se durrsakët ishin fare pranë fitores duke humbur veçanërisht në pjesën e parë disa gola të sigurtë.

Madje në një rast Ansi Nika shpëton për mrekulli portën e Likës, duke e nxjerrë topin nga kuadrati i portës kur e ka detyrë ta përplasë atë në rrjetë. Por ajo që vlen të veçohet në takimin e parë të këtij sezoni ndërmjet Teutës dhe Tiranës, është prezantimi shumë i mirë i futbollistit të ri Alfred Deliallisi. Emrin e këtij djaloshi këmbëshpejtë, e kemi përmendur që kur luante me të rinjtë e shkollës së mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” të Durrësit.

Madje specialisti i futbollit Astrit Zhupaj na kishte thënë për Deliallisin, se ka shkuar të provohet edhe në klubet prestigjoze greke. Alfredi është grumbulluar me ekipin përfaqësues të 19-të vjeçarëve, deri në atë të Shpresës, duke përforcuar gjithnjë e më shumë bindjet tek specialistët që kemi të bëjmë me një futbollist me vlera dhe të talentuar. Ai është i datëlindjes 28 mars 1993.

Trajneri Lika e afroi me shpejtësi djaloshin që vitin e kaluar me Teutën dhe në rastin më të mirë nisi ta aktivizojë. Por me Tiranën, çka nxiti edhe artikullshkruesin që të merret me të, ai shkëlqeu me atë gol të mrekullueshëm dhe shumë të veçantë që nuk e kemi vënë re as edhe në lojtarët e përvojës. Fantazi, teknikë realizimi, forcë dhe përkujdesje maksimale për atë gjuajtje që e nderoi jo vetëm futbollistin, por edhe ekipin.

Teuta nuk e fitoi ndeshjen ndonëse e meritonte një gjë të tillë. Por ajo duhet t’i gëzohet faktit se ka fituar një futbollist të ri dhe mjaft premtues me emrin Alfred Deliallisi. Dhe kjo nuk është pak.

RETRO                

Bilanci i ndeshjeve Teuta – Tirana

Dy ekipet kanë zhvilluar ndërmjet tyre 153 ndeshje, prej të cilave durrsakët kanë fituar 35 dhe kanë humbur 78. Në barazim kanë përfunduar 40 ndeshje, ndërsa golavarazhi është 128 me 246 në favor të Tiranës. Në 10 vitet e fundit, bilanci është tejet i favorshëm për Tiranën. Nga 15 ndeshje (duke përfshirë edhe atë të 14 shtatorit 2012), Teuta ka dalë fituese nga fusha e lojës vetëm në 2 raste, pasi është mundur 7 herë dhe ka barazuar në gjashtë raste. Bilanci i shënimit të golave mbetet gjithnjë i disfavorshëm, pasi Tirana është në kryesim 21 me 11.