Tirana rikthehet te fitorja duke mundur Teutën në “Selman Stërmasi”, në përballjen e parë të javës së pestë të Abissnet Superiores. Kampionët në fuqi ia dolën që të marrin maksiumin, duke koleksionuar të dytën fitore në këtë edicion.
Debuton me humbje Bledi Shkëmbi në rikthimin e tij në krye të durrsakëve, duke marrë një sinjal të qartë se ka shumë punë përpara e do i duhet që të gjejë sa më parë çelësin e zgjidhjes së problemeve.
Edhe pse durrsakët e nisën më mirë ndeshjen, me kalimin e minutave bardheblutë gjetën ritmin e duhur dhe filluan të ngacmomin më tepër në portën e Pano Qirkos. Hasani, Patrick dhe Xhixha nisën serinë e mundësive për shënim, por do të shpërbleheshin vetëm dy minuta para fundit të pjesës së parë.
Një kundësulm për katalog i bardhedhebluve u finalizua me një goditje potente nga distanca, nga Redon Xhixha, i cili shënoi një gol mjaft të bukur.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtën panoramë si e para, me Tiranën që shënoi dhe të dytin, me Patrik që nxori Hasanin të vetëm me portierin e durrsakëve duke shënuar dhe golin e dytë. Me avntazhin e dy golave gjërat ishim më të thjeshta për Tiranën, që priti momentin e duhur për të shënuar dhe golin e tretë.
Ishte dita e Redon Xhixhës, i cili pasi provoi disa herë për të gjetur golin e dytë personal, ia doli në të 59-ën, duke realizuar një tjetër perlë.
Në fund, pas ndërhyrjes së VAR, kryeqytetasit fituan të drejtën e një penalltie të cilën Xhixha e ekzekutoi saktësisht duke kompletuar tregolëshin personal.
Tregolëshi i parë për 24-vjeçarin në Superiore teksa më parë ka shënuar pesë gola edhe në një ndeshje të Kupës ndaj Sopotit kur ende vishte fanellën e Laçit si dhe një tjetër tregolësh me Tiranën në ndeshjen e Kupës ndaj Shkumbinit.
Katër gola për tre pikë për Tiranën, që shkon në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Teuta thellon krizën, teksa ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në këtë edicion të ri futbollistik dhe me vetëm 3 pikë në pesë javë “Djemtë e Detit” vijojnë lundrojnë në vendet e fundit të renditjes.