Moda e rikthimeve vijon tek Teuta, pas Rustem Hoxhës dhe Xhemalajt, një tjetër ish futbollist i “djemve të detit” do të riveshë fanellën blu, ai është ish kapiteni Arbër Çyrbja.

25-vjeçari u largua nga Teuta në verën e vitit 2018 për të nënshkruar me Kukësin, vetëm një sezon zgjati aventura e tij me veri-lindorët dhe tashmë mesfushori i është përgjigjur thirrjes së shtëpisë së tij duke u rikthyer tek skuadra durrsake.

Çyrbja edhe pse është nga Shijaku pak është aktivizuar me Erzenin sepse të gjithë karrierën e ka ndërtuar pikërisht tek “djemtë e detit” dhe konsiderohet si një afrim i cili mund të bëjë diferencën për ekipin e drejtuar nga Bledi Shkëmbi.

Nuk është vetëm Çyrbja ai që ka lëvizur në aksin Kukës-Durrës sepse tashmë është zyrtarizuar edhe afrimi i portierit Stivi Frashëri. 28-vjeçari e mbylli aventurën me nënkampionët pas eliminimit nga Europa League dhe tashmë do të nis një tjetër etapë në karrierën e tij.

Korçari do të zëvendësoj Isli Hidin me të cilin klubi nuk rinovoi pas kompeticioneve europiane. Gardiani prej pak më shumë se një sezoni kishte fituar statusin e titullarit tek Kukësi, edhe pse në fund nuk pati interes dypalësh për të vijuar bashkëpunimin. Teuta është skuadra e 5-të në karrierën e Frashërit pas Bylisit, Tiranës, Flamurtarit e Kukësit.