Teuta rezultoi “kockë” e fortë për Flamurtarin në takimin e luajtur në Vlorë, që përfundoi në barazim pa gola. Skuadra e Gugash Maganit rezistoi deri në fund, duke marrë një pikë me mjaft vlerë në këtë transfertë të vështirë, ndërsa për “kuqezinjtë” ishte një rezultat zhgënjyes, pasi detyrohen t’i lënë vendin e dytë Kukësit, që pas fitores me Laçin ka grumbulluar një pikë më shumë.
Flamurtari e nisi ndeshjen me sulmuesin kryesor Bushic në stolin e rezervave, pasi kroati nuk ishte riaftësuar plotësisht nga një dëmtim i pësuar në ndeshjen paraardhëse. Gjithsesi, Duro e hodhi në fushë në minutat e fundit, por pa mundur ta bënte diferencën. Pak para se të mbyllej koha e rregullt vlonjatët pretenduan se topi e kishte kaluar vijën fatale, pasi i shpëtoi për një moment Kastratit nga duart, por për gjyqtarët loja duhej të vazhdonte.





