Në Gjirokastër Teuta arriti të marrë një pikë në sekondën e fundit ndaj Luftëtarit, me këtë barazim që sjell pak qetësi te të dyja kampet, sidomos te durrsakët që ishin të rrezikuar në fundin e klasifikimit në rast të një humbje, ndërsa për Luftëtarin fitorja do t’i kishte çuar pranë zyrtarizimit të vendit të katërt, i cili gjithsesi mbetet i tyri në pozita komode.
Në këtë pikë të sezonit, rezultati është ai që ka më tepër rëndësi dhe të dyja skuadrat në garë për objektiva të ndryshëm u përpoqën të japin më të mirën që në fillim. Teuta që në minutën e 5-të gjeti rrjetën, por goli i Ditës u anullua për pozicion jashtë loje.
Përsëritja tregon qartë nëse kryesori kishte të drejtë apo jo. Pas disa minutave me shumë ritëm në mesfushë, Lamçe rrezikoi në të 27-tën, por Kastrati reagoi mirë. Në të 29-tën, Çyrbja pati mundësinë më të mirë për të kaluar përpara durrsakët, por dhe Miraka tregoi se është në nivelin e duhur.
Në të 38-tën ishte fati që i mohoi golin Teutës me topin që përfundoi në traverse, ndërsa në të 45-tën Markovic nuk gjeti epërsinë me kokë vetëm për çështje centimetrash. Pjesa e parë u mbyll me një superpritje të Kastratit që nuk lejoi Rrocën t’i jepte epërsinë bluzinjve.
Fillimi i pjesës së dytë nisi sërish më mirë për Luftëtarin dhe pse Bregut i mungonte shënjestra, ndërsa në të 65-tën nuk u shfrytëzua siç duhet ky aksion, ndërsa pati dhe pretendim për 11-metërsh për top të prekur në zonë.
Nga ky moment mbizotëroi frika për të mos humbur me dy ekipet që u treguan tejet të kujdesshme deri në të 83-tën, kur Bregu me një lëvizje fantastike arriti të fitojë një penallti për gjirokastritët.
Nga pika e bardhë Ramadani shënoi golin që mund të vlente Europën për gjirokastritët, por Teuta në sekondat e fundit arriti të gjejë golin e barazimit me Faysal duke marrë një pikë shumë të rëndësishme për qëndrimin në Superiore, ndërsa sfida u mbyll me tension mes lojtarëve të të dyja skuadrave, tërësisht i panevojshëm, pas një ndeshje që dhuroi kaq shumë emocione dhe ku u luajtën një pjesë e madhe e fateve të skuadrave të Superiores.