Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares vjen në një moment mjaft delikat për Teutën, që ka humbur kontaktet me fitoren prej disa javësh. Durrsakët kanë lënë shumë pikë në 5 ndeshjet e fundit, me 4 barazime dhe 1 humbje. Barazimi me Skënderbeun në “Niko Dovana” djeg ende për “Djemtë e detit”, të cilët patën probleme me finalizimin e rasteve që krijuan në atë 90-minutësh.

Pas dy ditësh pushim, skuadra ka rifilluar stërvitjen me fokusin te sfida me Vllazninë. Trajneri Edi Martini ka më shumë kohë për ta përgatitur këtë transfertë, ku shpreson të rikuperojë edhe lojtarët e dëmtuar, si Vila, Simeu e ndonjë tjetër.

Ndeshja e fazës së parë në Durrës është fituar nga shkodranët 1-2, kështu që Teuta ka një arsye më shumë për të bërë kthesën në javën e 14-të. Trajneri shkodran synon së pari të përmirësojë aspektin psikologjik të lojtarëve, pasi rezultatet e fundit kanë lënë shije të hidhur.

Teuta ka një kalendar të vështirë përpara, deri në fillim të dhjetorit. Një malore e vërtetë, që duhet përballuar me sa më pak “firo”. Pas Vllaznisë në Shkodër, bregdetarët do të ndeshen me Dinamon në Elbasan, pastaj do të presin Laçin, shkojnë në fushën e Tiranës dhe më tej sfidojnë Egnatian në “Niko Dovana”.