Teuta ka humbur vetëm në minutat e fundit kundër Shamrock Rovers për të dalë me shifrat 0-1 nga transferta.

Durrsakët do të mbroheshin mirë në gjithë ndeshjen, por lodhja në kryerjen e detyrave të shumta në prapavijë solli një mungesë përqendrimi në fund që u shfrytëzua nga 17-vjeçari Emakhu.

Menjëherë pas ndeshjes, trajneri i Shamrock, Stephen Bradley është shprehur se fitorja ndaj Teutës ishte e merituar, ndërsa ekipi shqiptar po përpiqej me të gjitha mënyrat që të mbaronte loja në 0-0.

“Teuta ka ardhur këtu me një plan mbrojtës dhe menduan se do të dilnin nga stadiumi ynë me shifrat 0-0. Por ne vazhduam të sulmonim dhe morëm atë që merituam. Tek Teuta ishin shumë të mirë për “artet e errëta” duke u përpjekur që të ngadalësonin lojën. Mendoja se arbitri ishte i mirë. Në pjesën e dytë duhej të rrisnim ritmin dhe e dinim që do t’i lodhnim pasi nuk mund të mbanin disiplinën e plotë për 90 minuta”, tha Bradley.