Për herë të parë raketë durrsake edhe italiani Daniele Saturno
Teuta kampione dhe tradita e pingpongut
Me 18 nëntor 2012, Teuta e Durrësit është kampione e Shqipërisë në pingpong. Musa Tërniqi së bashku me të birin Arion Tërniqi dhe të tjerët Rei Sota, Nexhip Manushaqa, Eril Simoni dhe Daniele Saturno, arrijnë sukses të madh, ndonëse sjellin në Durrës një kupë të vogël simbolike. Dyrrah është shumë i ndjeshëm jo vetëm për problematikat që krojohen, por para së gjithash ndaj vlerave dhe traditave më të mira të sportit të qytetit. Dhe një i tillë realizohet me 18 nëntor 2012 në Tiranë.
Ndoshta vitet e shumta mbi kurriz, por edhe mëshimi i asaj që është thënë pak ose aspak, na detyrojnë që kur çfaqen vlera të tregohemi të gatshëm të ngacmojmë edhe retrospektivën e tyre. Duke lënë menjëanë modestin, i përulem me shumë ndjeshmëri gazetës tonë të shtëpisë Dyrrah, që provokon dhe krijon rastet më të volitshme për të shkruajtur për brezin që shton katet e godinës së madhe të sportit durrsak. Kjo bëhet pa iu ndarë edhe atyre që ndërtuan themelet e traditës tejet emocionuese të këtij sporti, nostalgjia për të cilën na drithëron dhe na detyron të flasim se ajo mbetet kurdoherë e gjallë dhe e freskët. Pingpongu! Armë e fortë e durrsakëve, për të matur fuqinë e supremacisë së tyre ndaj kundërshtarëve.
Topin në formën e vezës, durrsakët e mi e kanë vërtitur shkëlqyer që në të parin kampionat që zë fill në vitin 1945. Aso kohë Petrit Turkeshi, vdekja e të cilit me 24 mars 1997 na ligështoi pa masë, shkoi e konkuroi në kampionatin lokal organizuar në Tiranë. Dhe doli i pari në kryeqytet. Dhe Petriti ynë është kampioni i parë në Shqipëri në pingpong. Një nisje e tillë kaq e përkryer nuk ka të shkoj më mirë. Dhe kjo nisje mbeti një vazhdim po kaq i tillë brilant dhe i shkëlqyer, duke numëruar në faqet e traditës durrsake me dhdjetra e dhjetra kampionë, talente e çudibërësit e topit në formën e vezës. Petrit Turkeshi kthehet kështu në figurë madhore të pingpongut, pasi është kampion edhe më 1946 dhe 1949, për tia lënë në vitin 1951 vendin e parë Ismail Beshirit. Kujtohet një fakt interesant, për të ditur se në çfarë nivelesh ishte pingpongu në Durrës. Ismail Beshiri, ky kampion i ri i Shqipërisë në atë vit, doli i dyti në kampionatin lokal zhvilluar në Durrës.
Disa herë kampioni i Shqipërisë në pingpong Petrit Turkeshi, vendoset si teknik i Lokomotivës, duke e klasifikuar Durrësin në pozicionin e kampiones së parë të vendit në vitin 1961. Treshja Petrit Turkeshi, Ismail Beshiri dhe Bajram Mustafa janë faqja e parë e trofeve të Durrësit, që mund të konsiderohet si mbreti i pingpongut shqiptar.Po kshtu edhe ekipi i femrave i përbërë nga Lejla Myshketa dhe Diketer Mustafaraj. Nga shkolla e pakonkurueshme e Petrit Turkeshit kanë dalë raketa të tilla, që e “copëtonin” topin e vezës si Agron Reka, Agim Popa, Azem Kapidani, Dhimitraq Papai, Selim Pumi, Kujtim Macukulli, Mantho Klemo, Xhemal Dajku, e më vonë Flamur Bako për të ardhur deri tek Musa Tërniqi. Petrit Turkeshi nuk do të harrohet asnjëherë për punën e tij historike, në shërbim të masivitetit dhe cilësisë së pingpongut. Kujtesën më të madhe punës së tij po ia bën vazhduesi, vetëmohuesi i dytë më pikant i pingpongut durrsak Musa Tërniqi.
I datëlindjes 27 nëntor 1959, Tërniqi nga viti 1972 e deri tani është lidhur ngushtësisht me pingpongun. 40 vite nga jeta e tij, Tërniqi ia ka falur “vezës” së pathyer të pingpongut. Veçanërisht në periudhën 1980-90, Tërniqi bëri kërdinë mbi rivalët e tij, ku nuk ia dha shansin të gëzonin trofe. Largohet nga pingpongu 40 vjeçar dhe vendos me raketat tjetër raport, atë të trajnerit. Ai i fali topit të vogël edhe dy fëmijët e tij: Arionin dhe Klajdin. I pari kampion kombëtar dhe që të dy lojtarë pikantë të raketave. “Është gjynah, pohon Tërniqi, të mos vazhdonim traditën e këtij sporti, që me aq mund dhe përpjekje e krijoi Petrit Turkeshi dhe brezin e tij. Është si një amanet i lënë prej tij, që ky sport të zhvillohet e përparoj në Durrës, ashtu sikundër u bë që me krijimin e tij. Tërniqi e ka udhëhequr Teutën për marrjen e mjaft trofeve, në ndeshje me nivel kombëtare dhe ndërkombëtare. Janë përpjekjet e jashtëzakonshme të Tërniqit, që pingpongu në Durrës jo vetëm mbijeton por tenton të ridimensonohet e të tregojë që mbetet kurdoherë i gjallë dhe i freskët si në kohën e Turkeshit.
Kampionët e rinj dhe italiani Saturno
Të vijmë tek 18 nëntori 2012, ku pingpongu vjen në Durrës me jehonën e fitimit të një trofeu të rëndësishëm. Titulli kampion sigurohet duke mundur me meritë të gjithë kundërshtarët dhe rivalët e tij dhe shijohet shumë në këtë 100 vjetor të Pavarësisë. “Kam përjetuar emocione shumë të forta, tregon nga pingpongistët më të talentuar të Teutës Rei Sota. Në grupin A ku ishim vendosur i mundëm thellë të gjithë rivalët si Vllazninë, Skëndërbeun dhe Studentin. Në grupin B dihej që i pari pritej të dilte kampionë e çkurorëzuar Tomori i Beratit. Dhe me këtë kundërshtarë ia dolëm dhe sollëm në Durrës titullin kampion. Gëzim i paparë dhe shumë nxitës për ne të rinjtë e këtij brezi sportistësh”. Për kuriozitet. Teuta e fitoi dy herë titullin brenda 90 minutave.
Beratasit kontestuan pjesëmarrjen në ekipin durrsak të italianit Daniele Santoro. Ata tërhiqen nga gara. Federata e pingpongut zhvillon ceremoninë dhe i akordon Teutës titullin. Pas kësaj beratasit pranojnë të zhvillojnë takimin final. Dhe Teuta i mund 3-1, ish kampionët Dorian Tapia, Ilir Shabani dhe Andi Kola. Po cilët janë kampionët e rinj? 26 vjeçari Arion Tërniqi, Rei Sota, Nexhip Manushaqa dhe 14 vjeçari Eriol Simoni. Por grupit i ishte bashkuar prej dy muajsh edhe milanezi Daniele Santoro, një pingpongist amator. Ai luan në veprimtari rexhionale me ekipin Areze të periferisë së Milanos dhe erdhi si përforcim për Teutën. 32 vjeçari Saturno është i prekur nga ky sukses dhe shpreh bindjen se edhe në të ardhmen do të mbetet pjesë e Teutës. Ai të thotë se pingpongu në Itali është masiv dhe i vjen mirë që edhe në Durrës ky sport është i zhvilluar. “Do të bëj çmos, komenton Saturno, që të ndikoj sadopak me përvojën time për motivimin cilësor të lojtarëve të rinj dhe të rrisë prestigjin e Teutës në ballafaqim me konkurentët e saj”.
Në shkëlqimin e të ardhmes
Musa Tërniqi drejton të gjitha grup moshat dhe ekipet përfaqësuese të Teutës. Kushtet e mrekullueshme të krijuara nga klubi shumësportesh Teuta, ku stërvitjet zhvillohet në 6 tavolina dhe në një hapsirë të bollshme, puna këmbëngulëse dhe sistematike më fëmijët që kryen Musa Tërniqi, po thithin dita ditës me dhjetra pjesmarrës. Teuta me paratërejat është kampione kommbëtare. Çfaqet si violinë e parë Emirjeta Isufi kampione me paratërejat, 13 vjeçarja Liridona Rexhaj dhe Kejdi dhe Gabriela Dangëlli. Kjo e fundit në moshën 10 vjeçare. Sa të shkathta dhe ekspresive që janë. “Janë shumë të reja, nënvizon Musa Tërniqi. Nuk e teproj kur pozicionohem, se për disa vite bëhen kampione absolute të vendit me të rriturat.” Musai mban lidhje të ngushta edhe me prindërit e pingpongistëve. Madje Alfons Dangëlli, babai i dy motrave pingpongiste është në rolin e zëvëndëtrajnerit. Po kështu vëlla e motër Liridona dhe Flamur Rexhaj, shoqërohen vazhdimisht nga prindërit Alberti dhe Bedria. Ata nuk i ndahen fëmijve dhe ekipit, duke ndjekur për çdo ditë përparimin e tyre.
Bën përshtypje në ekipet e pingpongut mosha shumë e re e frekuentuesve të tyre. Atyre u është shpjeguar se, po ecin në gjurmët e pasura të traditave të hapura me aq mund dhe sakrificë nga motrat Myshketa (Lejla dhe Verushja), Diktere Mustafaraj, Teuta Kalakula, Elda Zuriqi, Lindita Popa etj. Por Musa Tërniqi, vendos duart në “zjarr”, kur është fjala për 9 –të vjeçarin Flamur Rexhaj. “Është shumë i talentuar dhe zotëron një teknikë të përkryer dhe një mënyrë loje që të befason. Stërvitet me një përkushtim të madh dhe nuk e teproj në gjykimin tim, për ta vendosur shumë shpejt si raketa numër 1 e Shqipërisë.” Dhe Musa të rrëfen edhe për Rei Sotën, i cili siç ka emrin mund të “mbretërojë” pingpongun, për Nexhip Manushaqan që do të marrë pjesë në kampionatin botëror që zhvillohet në muajin maj 2013, Albi Okshtuni dhe 12 vjeçari Erli Çaprazi. Në ekipin kombëtar për femra janë edhe dy pingpongistet e Teutës Elona Mustafa dhe Livia Dajku. Ndërsa Musa Tërniqi, pritet të caktohet trajner i ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë në këtë eveniment. Musa Tërniqi, së bashku me djemtë dhe vajzat e tij vazhdojnë për ditë të stërviten. Suksesi i fundit ka nxitur edhe më shumë oreksin, për të ecur akoma edhe më të bindur në gjurmët e traditave. Nga Petrit Turkeshi deri tek Musa Tërniqi një gjerdan suksesesh. Ky është pingpongu i traditës deri kampionët më të rinj. Dhe kështu, nuk ka ku të vejë më mirë.
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit