Teuta e ka mbyllur se zonin 2018-2019 në perfeksion. Sikur të mos mjaftonte blindimi i vendit të 3-të dhe rrjedhimisht sigurimi i një “bilete” europiane, kanë marrë edhe një çmim tepër të vlefshëm nga FSHF-ja.Durrsakët janë shpallur zyrtarisht ekipi më “fair play” i kampionatit që sapo u mbyll dhe për rrjedhojë, veç pllakatës simbolike, kanë fituar edhe një shumë prej 15 milionë lekësh (të vjetër).
Një shifër ndoshta jo shumë e madhe, por e parefuzueshme. Ky shpërblim i shtohet kësisoj arkës së klubit dhe mund të shërbejë fare mirë për të mbyllur disa shërbime nga faza përgatitore që është në prag. Sikundër thuhet qartë edhe në rregulloren e FSHF-së (konkretisht në nenin 53), vlerësimet bëhen duke u bazuar te 6 kritere.
Veç kartonëve të verdhë dhe të kuq, merret në konsideratë loja pozitive, sjellja ndaj kundërshtarit, arbitrave dhe zyrtarëve të ndeshjes, por edhe e tifozëve. Madje, prej sportdashësve kanë marrë një “bonus” shumë të madh, pasi Teuta është ekipi që nuk u dënua kurrë nga Disiplina prej sjelljes së gabuar të të pranishmëve në stadium (ndryshe nga ekipe si Tirana, që ka qenë gjithnjë subjekt i këtij komisioni).
Referuar renditjes së përgjithshme, ekipi i Bledi Shkëmbit kryeson me 251.036 pikë të mbledhura pikërisht nga kriteret e përmendura më lart. Ndonëse “djemtë e detit” kanë marrë plot 64 të verdhë dhe 4 të kuq (tre prej të cilëve, pas 2 të verdhëve), janë avantazhuar nga sjellja e mirë dhe për rrjedhojë kanë marrë “podiumin”.
Vendin e dytë dhe të tretë e kanë Skënderbeu me Laçin, me nga 231.107 dhe 229.429 pikë, ndërsa me radhë vijnë Luftëtari (212.607), Partizani (211.036), Flamurtari (208.893), Kastrioti (206.964). Nëse vendi i fundit i takon Kamzës së përjashtuar që në mars (me 145.714 pikë), ajo që bie në sy është renditja e Tiranës. Bardheblutë janë për mbijetesë edhe për “fair play”, pasi janë në vendin e parafundit.





