Teuta – Kamza, ndoshta nuk ka sharmin e një Skënderbeu – Kukësi, por është pa diskutim një ndër takimet më vendimtare të javës së 31-të të Kategorisë Superiore. Një finale mbijetese për të dyja skuadrat që luftojnë për qëndrimin në elitën e futbollin shqiptar. Sa ndryshe vijnë në këtë përballje në krahasim me fazën e tretë.

Niste pikërisht në atë përballje pikata e pabesueshnme e Kamzës. Skuadra e Ramadan Ndreut vinte pas një gjysmë sezoni ku kishte merituar epitetin surpriza e kampionatit, edhe pse fundi i 2017-ës nuk kishte qenë për notën 10, në fillimin e këtij vitit kishte mundur Laçin e madje dhe Kukësin në Zeqir Ymeri, Kamza konsiderohej imune nga telashet e mbijetesës, madje shikonte me lakmi drejt Europës dhe ajo humbje nuk u përjetua aspak si një dramë, por ajo disfatë 2-1 do të rezultonte trokitja në dyert e makthit të këtij sezoni.

Që nga ajo ndeshje plot 7 takime pa asnjë fitore, çka sollën futjen zyrtarisht në vallen e mbijetesës dhe largimin e trajnerit Ndreu. Klubi ndërhyri duke marrë në drejtim Ahmatajn për të ndryshuar kursin e Kamzës dhe sot për trajnerin 38-vjeçar përballja me Teutën është një finale me vëte.

Mjaft interesant fakti se krejt e kundërta ka ndodhur në kampin durrsak, pikërisht te ajo fitore ndaj Kamzës, Teuta nisi forcimin e pozitave në klasifikim duke fituar shpresë për qëndrimin. Barazim me Partizanin e Skënderbeun, fitore ndaj Lushnjës, Laçit e Vllaznisë, sot Teuta vjen në këtë sfidë shumë më e fortë nga ai takim i fazës së tretë dhe synon parakalimin pikërisht ndaj Kamzës, skuadrës që dy muaj më parë as nuk e imagjinonte se sa do t’i kushtonte ajo humbje në Durrës.