Teuta nuk ia doli të merrte më shumë se një barazim 0-0 në duelin e mbrëmjes të së enjtes ndaj Elbasanit, i vlefshëm për javën e 11-të të Superiores. Një përballje tepër e luftuar, që në fund nuk prodhoi fitues. Teuta dominoi në tërësi ndeshjen, por portieri mik u bë hero. Mbrojtësi Artan Jazxhi u rikthye në fushë pas 10 ditësh mungesë, por arriti të shpëtojë një gol në minutën e 94-t. Në një intervistë ai kërkon vazhdimësinë.

Sa i lumtur jeni për rikthimin dhe ndeshjen e mirë në aspektin personal?

Me rikthimin pas një shqetësimi dhe me rendimentin personal në këtë ndeshje jam i kënaqur, por shpresoj që në vazhdim unë të dal në pah siç dola ndaj Elbasanit. T’i gëzoj tifozët, të gëzoj qytetin. Dhe jo vetëm unë, por i gjithë ekipi dhe në fund të dalim faqebardhë.

Një pikë ndaj Elbasanit, sa keq ju vjen që dominuat, por nuk morët tri pikët?

Më pëlqeu mënyra e lojës, se si dominojmë dhe si vijmë deri te krijimi i rasteve. Normalisht, pjesa e parë ishte shumë stresuese për shkak se kishim gjithë ato raste të humbura, dominim total dhe u mbyll 0-0. Unë pashë një dëshirë te shokët në pushimin mes dy pjesëve për të fituar këtë ndeshje, por nuk arritëm dhe na vjen keq. Jam i kënaqur me performancën në përgjithësi. Duhet vetëm të kemi kujdes kur kundërshtari na vjen një herë apo dy herë deri te porta dhe rrezikon, duhet të përmirësohemi. Por besoj se ekipi nga ndeshja në ndeshje në aspektin e lojës dhe dominimit, po shprehet më mirë.

Mendoni se ka akoma ka vend për përmirësim?

Patjetër që po. Unë besoj se Teuta duhet nga ndeshja në ndeshje, nga java në java të përmirësohet, si në aspektin e lojës, ashtu edhe në aspektin e sigurisë në lojë, që është shumë e rëndësishme. Duhet në çdo moment të ruajmë balancën për shkak se kampionati është shumë i barabartë. Kështu që nuk mund të jemi asnjëherë të kënaqur dhe të fjetur. Përkundrazi, duhet të jemi vigjilent në çdo moment.

Të hënën ndeshja e radhës ndaj Partizanit. Si e prisni?

Normale që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse ne kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë. 

Si e parashikoni këtë takim, do t’ju kënaqte edhe një pikë me Partizanin? 

Siç e përmenda më lart, Teuta është e ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje. Teuta nuk është e kënaqur me barazimin, do të kërkojmë maksimumin në këtë takim, do të nisim të studiojmë Partizanin, t’i mësojmë pikat e forta dhe pikat e dobëta. Do të jetë një përballje interesante.