Humbja ndaj Egnatias tashmë është lënë pas dhe në kampin e Teutës vëmendja është përqendruar te sfida e radhës në kampionat. Durrsakët nuk kanë kohë për reflektime të gjata, pasi objektivat e sezonit mbeten të hapura dhe skuadra synon të reagojë menjëherë. Ekipi vijon me intensitet përgatitjet e ndeshjes së ardhshme. Nëpërmjet analizës me video, trajnerët kërkuan nga futbollistët më shumë përqendrim në situata të caktuara, duke theksuar se ekipi ka potencial për të bërë më mirë në ndeshjet e mbetura.
Pas analizës, skuadra zhvilloi një seancë të plotë stërvitore, duke u fokusuar fillimisht te puna fizike dhe rikuperimi i lojtarëve me ngarkesë më të madhe nga ndeshja e fundit. Stërvitja vijoi me ushtrime taktike dhe punë me topin, ku stafi teknik kërkoi ritëm dhe intensitet maksimal. Atmosfera në skuadër mbetet pozitive, pasi grupi e di se kampionati nuk ka përfunduar dhe çdo ndeshje e mbetur mund të jetë vendimtare për objektivat. Futbollistët janë të motivuar për të reaguar dhe për të rikthyer Teutën te rezultatet pozitive.
Vëmendja tashmë është e gjitha te përballja me Dinamon, një takim ky shumë i rëndësishëm për ecurinë e skuadrës. Teuta synon maksimalin, pasi tri pikët janë jetike për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në “Final Four”. Stafi teknik po punon për të përgatitur ekipin në aspektin fizik dhe taktik, ndërsa në ditët në vijim pritet të përcaktohet formacioni që do të zbresë në fushë. Durrsakët e dinë se gara është e fortë dhe çdo pikë ka rëndësi të madhe, prandaj ndeshja ndaj Dinamos shihet si mundësi për të rikthyer besimin dhe për të vijuar luftën për objektivin e madh të sezonit.





