Teuta barazoi pa gola ndaj Dinamos në një ndeshje ku durrsakët treguan se kishin mundësi të fitonin. Mbrojtësi i Teutës, Vasil Zhongo, analizon situatën ku ndodhet skuadra, si dhe rëndësinë e ndeshjes së radhës me Partizanin.
Vasil, a ndjeni keqardhje që nuk morët tri pikë ndaj Dinamos?
Bëmë një ndeshje pozitive. U futëm për ta fituar takimin dhe e vetmja gjë që nuk shkoi ishte goli. E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, por kishim pritshmëri maksimale. Mund të shënonim më shumë në pjesën e parë po të kishim patur pak më shumë qetësi, apo edhe sikur të kishim pasur më shumë fat, por ishim të pafat. Për këtë më vjen keq, sepse meritonim tri pikë.
Ka Teuta kapacitetet për gjërat e mëdha?
Jemi bërë një ekip shumë i fortë. Janë shumë çuna të mirë, stërvitemi fort dhe kemi ekip cilësor. Kemi barazuar 0-0, por kemi krijuar më shumë raste. Kështu ndodh në futboll. Duhet të mbajmë kokën lartë dhe të fitojmë shumë ndeshje bashkë.
Tani prisni Partizanin, a është ky momenti për tri pikët?
Nëse japim maksimumin e mundësive që kemi dhe luajmë lojën tonë, besoj te fitorja e ndeshjes, pavarësisht vështirësisë që paraqet. Jemi të detyruar të fitojmë çdo ndeshje. Presioni është normal për një ekip që pretendon. Gjithsesi, e rëndësishme është të marrim pikët maksimale; më pas do të shohim. Tashmë jemi të përqendruar vetëm te sfida e radhës ndaj Partizanit.
Si e shikoni sfidën ndaj Partizanit?
Si çdo ndeshje tjetër. Në këto javë, ndeshjet kanë treguar që nuk ka sfida të lehta. Ekipet janë aty-aty në paraqitje. Partizani ka një ekip me përvojë, ndërsa motivimi ynë është i lartë, sepse në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me tri pikë.
Ku e shihni Teutën këtë sezon?
Kampionati është i gjatë dhe ka shumë “luftë” nga çdo ekip, por fundi do të tregojë vërtet se cila është skuadra kampione.





