Është momenti kur “djemtë e detit” duhet vërtet të tregojnë nëse e kanë stofin për të qenë një skuadër e denjë për të arritur lart. Kalendari do t’i vendosë përballë skuadrave si Vllaznia dhe më pas ndaj Kastriotit e Egnatias.

Ka qenë një nisje sezoni jo shumë e mirë për ekipin e drejtuar nga Shkëmbi me asnjë fitore dhe me vetëm 3 pikë pas 5 javësh. Faza mbrojtëse nuk ka funksionuar aspak mirë, sepse jo më kot Teuta ka pësuar shumë. Sulmi në sezonin e shkuar funksiononte si duhej, por tani duhet përmirësuar me patjetër.

Ngjitja e një maje të vështirë nis nga sfida ndaj Vllaznisë, kundër një ekipi, ndaj së cilës Teuta ka hasur jo pak vështirësi. Ka ardhur momenti që “djemtë e detit” të tregojnë muskujt.

Ndalesa e kampionatit dhe gjendja e mirë fizike në skuadër e ka rritur adrenalinën te Teuta dhe skuadra tashmë do të synojë të hyjë në rrugën e duhur dhe brenda pritshmërive.

“Djemtë e detit” kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore me sytë nga përballja e së mërkurës së ardhshme ndaj Luzi 2008 në turin e parë të Kupës së Shqipërisë dhe më pas atë ndaj Vllaznisë në kampionat. Dje pasdite skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi vijoi përgatitjet me seancat stërvitore.

Deri në prag ndeshjeje do të vazhdohet me një seancë në ditë. Brenda kësaj kohe pritet që futbollistët të jenë në gjendje optimale dhe të nisin rezultate pozitive në Superiore.

Stërvitja e djeshme filloi me nxehje të lehtë, ku përgatitësit atletikë Mark Dodaj dhe zëvendëstranjeri Bledar Hodo vazhduan punën me futbollistët me disa ushtrime fizike.

Skuadra stërvitjen e nisi me ushtrime aerobike, vazhdoi me punën me top dhe më pas me anën taktike. Në fundin e seancës, ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre.

Harmonia në ekip shihet si një faktor kyç për një ecuri pozitive gjatë sezonit. Pavarësisht se fillimisht luhet ndaj Luzit, me siguri më shumë në Durrës e kanë mendjen te beteja me Vllazninë, ku do të kërkohet me patjetër kthesa.

Teuta është gati për ta rinisur kampionatin me fitore dhe për t’u larguar edhe më shumë nga zona e ftohtë, ndonëse kalendari i ka rezervuar një ndeshje mjaft të vështirë si ajo ndaj Vllaznis në Durrës.

Mungesa e vetme te durrsakët për këtë ndeshje do të jetë ajo e mbrojtësit Artan Jazxhi, që vijon i dëmtuar.