Teuta nuk arriti të marrë pikë ndaj Elbasanit, në një ndeshje të cilën për hir të së vërtetës nuk e interpretoi si duhet dhe e meritoi ta humbte. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini nuk bëri thuajse asgjë në pjesën më të madhe të ndeshjes, ku rastet ishin me pikatore, për të mos thënë fare. Tashmë skuadrës dhe stafit i lind vetëm detyra për ta kaluar këtë moment dhe për tu ringritur për sfidën e radhës kundër Partizanit të shtunën në 20:00 në “Niko Dovana” të Durrësit. Edi Martini do të këtë kohë të shikojë me imtësi gjendjen e çdo lojtari, teksa në dispozicion janë pesë ditë. Lojtarët e Teutës dje kanë vijuar përgatitjet për sfidën e radhës, ku një rezultat pozitiv shihet si një mundësi e mirë për të bërë “autokritikë”.

Kjo është një sfidë, që për durrsakët vlen shumë, aq më tepër që luajnë me një ekip që lufton për për “Final 4”. Blutë e drejtuar nga Edi Martini kanë dje zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”.Në prolog të stërvitjes, trajneri Martini u foli futbollistëve për rëndësinë e kësaj ndeshje, duke u kujtuar se në këtë moment rëndësi kanë vetëm pikët. Ai insistoi se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me pak më tepër impenjim, mund të ndalin edhe një ekip si Partizani.Trajneri Edi Martini pret që të ketë të gjithë grupin gati në sfidën e radhës. Skuadra ka punuar më së shumti në lojë, teksa Martini e ka ndarë grupin në dy pjesë. Ra si zakonisht në sy loja e fortë e skuadrës, ku të gjithë futbollistët prej kohësh po kërkojnë një vend titullari.