Teuta nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, me durrsakët që pavarësisht se ndërruan trajnerin, sërish nuk po arrijnë të gjejnë vazhdimësinë. “Djemtë e Detit” prej 3 ndeshjesh nuk e njohin fitoren dhe ndaj Vllaznisë nuk kanë rrugë tjetër veçse 3 pikëve.
Për këtë drejtuesit janë të vetëdijshëm se duhet edhe ndihma e tifozëve. Klubi nëpërmjet një postimi ka kërkuar mbështetjen e tyre, pasi është shumë e rëndësishme për lojtarët për të kaluar këtë moment “krize”.
“Të gjithë drejt shkallëve të stadiumit. Kur kanë mbetur edhe 24 orë nga ndeshja e kësaj jave, KF Teuta ju fton edhe njëher të gjithë dashamirët e futbollit, tifozët dhe qytetarët e Durrësit që të premten nga ora 16:30 të jenë prezent në shkallët e stadiumit.
Mos mungo, të bashkuar FITOJMË”, shkruhet në postim. Kujtojmë se Teuta do të duelojë me Vllazninë ditën e nesërme në orën 16:30, duel i vlefshëm për javën e 23-të të Superiores.