Lushnja është rendi i ditës për Teutën. “Djemtë e detit” zbritën në fushë për të filluar me përgatitjet për ndeshjen e javës së 17-të të Kategorisë Superiore. Në dispozicion të stafit teknik ishte i gjithë grupi i futbollistëve, me përjashtim të sulmuesit Anel Dediç dhe qendërmbrojtësit Arsen Sykaj.

Boshnjaku nuk është në dispozicion të Stavri Nicës, për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale që kreu pak ditë më parë në Turqi, ndërsa shkodrani nuk do të jetë më pjesë e Teutës. 27-vjeçari ka ndërprerë me konsensus marrëveshjen me bregdetarët dhe nga ky moment është një lojtar i lirë. Në pjesën e parë të sezonit, Sykaj është aktivizuar në 10 ndeshje nga 16 që janë zhvilluar në total duke grumbulluar 762 minuta.

Shkodrani vlerësohej maksimalisht nga Gugash Magani, por, me ndryshimin e stafit teknik, Sykaj duket se nuk ishte në planet e Nicës dhe Biturkut.Gjithashtu, një tjetër lojtar që pritet të largohet, është edhe mesfushori serb Tarik Çmajçanin. Drejtuesit i kanë komunikuar lojtarit se ai nuk është më planet e stafit teknik, por 23- vjeçari duket se nuk ka ndërmend të largohet edhe nëse nuk aktivizohet.

Çmajçanin edhe gjatë verës u largua fillimisht nga Teuta, por më pas drejtuesit e kthyen sërish, pasi ai ishte nën kontratë dhe nuk pranoi të ndërpriste bashkëpunimin. Edhe tani klubi ndodhet në të njëjtën situatë, me serbin që refuzon të ndërpresë bashkëpunimin.Kontrata e tij me “djemtë e detit” përfundon në qershor dhe në rast se ai nuk pranon asnjë “ofertë” nga drejtuesit, do të jetë pjesë e skuadrës deri në fund të sezonit.

23- vjeçari deri tani në këtë sezon është aktivizuar vetëm në një ndeshje si titullar kundër Partizanit në transfertë dhe po në këtë takim ka shënuar një gol në humbjen 2-1, ndërsa ka grumbulluar edhe 4 ndeshje si zëvendësues.

Sa i përket merkatos në hyrje, po punohet për të afruar një mbrojtës të majtë edhe një sulmues qendre. Deri tani nuk ka asnjë emër konkret, por mësohet se drejtuesit janë në negociata me një lojtar cilësor.