Të dielën në orën 18:00 në “Niko Dovana” Teuta dhe Erzeni përplasin “brirët” në një derbi, që nuk ka rëndësinë e atij të kryeqytetit, por që është një ndeshje mjaft e ndierë për të dyja qytetet dhe tifozëritë. Të dyja skuadrat ndodhen shumë pranë zonës së ftohtë dhe janë të uritura për pikë, në mënyrë që të kthehen në objektivin minimal të mosrrezikimit të rënies.

Durrsakët kërkojnë të regjistrojnë një seri fitoresh, pas triumfit plot vlera ndaj Egnatias, një nga fuqitë e mëdha në këtë kampionat të këtij sezoni. Është fakt se durrsakët kanë arritur t’i marrin pikë dy “superfuqive”, Tiranës dhe Egnatias, por nga ana tjetër kanë humbur terren me rivalët e ashtuquajtura direkte, si Laçi apo Vllaznia. Trajneri Martini dhe stafi i tij e kanë të qartë se fitorja ndaj Erzenit është një detyrë për të përmbushur misionin e ringritjes dhe ngjitjes së skuadrës mbi mesin e renditjes.

Në të njëjtën kohë, një hap fals do të ishte i rëndë për blutë, që do të qëndronin në ujërat e luftës për mbijetesë dhe ambienti gjatë pauzës prej kombëtareve nuk do të mund të kishte entuziazmin e duhur. Ndërkohë, ditën e djeshme skuadra ka vijuar normalisht përgatitjet për ndeshjen e së dielës, nën një atmosferë shumë të mirë për shkak të moralit që i jep triumfi i javës së shkuar.

Në Durrës janë të qartë se i kanë në dorë vetë fatet e tyre. Ditën e djeshme trajneri Edi Martini i kishte të gatshëm të gjithë futbollistët, përfshirë edhe Erando Karabecin, i cili ka qenë i dëmtuar prej javësh. Mesfushori ka kaluar problemet fizike dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen me shijakasit. Gjatë seancës nuk kanë munguar as momentet e humorit dhe entuziazmit në momentet e lojërave.