Erdhi te Teuta verën e kaluar dhe në sezonin e parë si trajner në Kategorinë Superiore, Blendi Shkëmbi arriti të renditë Teutën në vendin e tretë, duke u siguruar durrsakëve një vend në eliminatoret e Europa Leagues.

Kontrata e korçarit me Teutën përfundonte bashkë me sezonin, ndërsa sot, klubi durrsak njoftoi se është arritur marrëveshja që Blendi Shkëmbi, bashkë me stafin e tij, të drejtojnë Teutën edhe për sezonin e ardhshëm.

Lajmi është bërë publik nga vetë klubi durrsak në faqen zyrtare në Facebook, ku thuhet se është arritur marrëveshja mes palëve, që bashkëpunimi të vazhdojë edhe për sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë dy ditët e fundit ka nisur edhe fushata e spastrimit në klubin durrsak, ku janë larguar Amadu Latif dhe Erlis Frashëri, ndërsa në ditët në vijim pritet të punohet edhe për përforcimet e nevojshme, për përballimin e fushatës eliminatore europiane.