Formohet pas më shumë se 30 vitesh, ekipi i Teutës në basketboll për femra. Grupi i vajzave nën drejtimin e trajnerit Besim Dervishaj dhe zv/trajnerit Ondis Prifti prej javësh tashmë ka nisur stërvitjen intensive për të qenë gati për Kampionatin Kombëtar, që starton më 8 tetor.
“Në këtë gjendje që është ekipi themi që jemi mirë, jemi kënaqshëm, sepse kemi ndërtuar diçka nga fillimi. Në ekip kemi basketbolliste nga ekipi kombëtar, lojtare të huaja dhe vajza durrsake, që janë brezi që do të çojnë përpara skuadrën në vitet e ardhshme”,- thotë trajneri Dervishaj.
Për kapitenen Ebi Dishnica, e cila aktivizohet në basketboll prej 13 vitesh tashmë dhe është pjesë edhe e ekipit kombëtar. Angazhimi me ekipin e Teutës mbart një emocion të veçantë.
“Eshtë një eksperiencë e re për mua me një ekip që sapo është krijuar. Mendoj se do ia dalim shumë mirë, duke qenë se kemi afruar edhe vajza që janë shqiptare dhe të huaja. Fillimi i mbarë është gjysma e punës”.
Vanesa Prifti është vajza durrsake që është bërë pjesë e ekipit të qytetit të saj. Pavarësisht moshës së re, ajo synon që së bashku me lojtaret e tjera të arrijnë të përfaqësohen denjësisht në çdo përballje me ekipet rivale.
Pjesë e ekipit Teuta, prej disa ditësh tashmë, janë edhe 3 lojtare amerikane. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe grupi i vajzave po përpiqet të japë maksimumin në parketin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, ku stërviten rregullisht.
“Mendoj se kemi shumë potencial. Ndihem e nderuar që jam këtu meqë skuadra sapo është formuar. Kemi shanse shumë të mira të marrim rezultate të kënaqshme dhe të krijojmë një ekip të suksesshëm në Durrës. Me vajzat po kaloj mirë, kemi krijuar një grup kompakt”,- thotë basketbollistja amerikane Imani Dixon për “DurrësLajm”.
Në debutim e parë, Teuta u përball me Flamurtarin e Vlorës, ndeshje kjo e luajtur për Kupën e Federatës. Në fund të sfidës, fitorja shkoi për vlonjatet, por vajzat e Teutës dhe drejtuesit e ekipit janë shpresëplotë për një paraqitje mbrësëlënëse.
“Javën që vjen fillon kampionati dhe presim të hidhet shorti ku do luajm. Për qytetarët durrsakë do të ketë njoftime, kështu që besoj se pallati i sportit do të mbushet plot”, tha Dervishaj.
M.B.