Teuta nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në transfertën me Kukësin, me skuadrat, që ndanë nga një pikë në javën e 15-të. Sakaq, ndalesa e radhës është sfida e prapambetur e javës së parë ndaj Partizanit, të enjten në orën 17:00. Kjo sfidë do të luhet në “Niko Dovana” me Partizanin si pritës, pasi dueli i fazës së parë u zhvillua në “Arenën e Demave”, me marrëveshje. Për “djemtë e detit”, që lundrojnë në ujërat e akullta të renditjes prej disa javësh, fitorja është një detyrë në misionin për të dalë nga kriza e thellë.
Teuta vijoi dje përgatitjet për sfidën e radhës ndaj kampionëve në fuqi. Trajneri Edi Martini ka disa dilema sa i përket formacionit, ndikuar edhe nga një mungesë e mundshme. Realdo Fili është i dëmtuar dhe nuk dihet nëse do t’ia dalë të rikuperohet për sfidën ndaj ish-ekipit të tij. Në mesfushë alternativat nuk mungojnë, aty ku thuajse të gjithë janë të gatshëm, teksa e njëjta situatë është edhe në mbrojtje.
Stërvitja e djeshme, e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”, kishte të bënte më së shumti me rigjetjen e ritmit e të metave dhe dobësive të treguara në seancat e mëparshme. Pasdite, me ndarjen e lojtarëve në grupe dhe formacioneve të përziera, Martini u kërkoi të tijve përqendrim dhe përpikmëri në zbatimin e detyrave tekniko-taktike. Ritmi i stërvitjeve është i lartë dhe skuadra punoi me seanca të kombinuara për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën tekniko-taktike.
Në stërvitje ishin të gjithë futbollistët, ku vlen të theksohet se skuadrës i është bashkëngjitur edhe Fili, i cili gjithsesi do të mbetet në dyshim për ndeshjen e së enjtes. Si fillim, skuadra zhvilloi vetëm dy vrapime rreth fushës e më pas disa ushtrime atletike dhe streçing. Më pas Martini filloi të punonte me vendosjen e lojtarëve në fushë. Ai dukej i fiksuar pas skemës, pasi nuk ndalej së foluri dhe së udhëzuari pothuajse gjysmën e ekipit. Martini i ndau lojtarët në dy grupe dhe organizoi një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë njëkohësisht me ndalime të shumta dhe udhëzime.