Barazimi në “Selman Stërmasi” kundër Tiranës ishte me shumë vlerë për Teutën që tani ndodhet 7 pikë larg nga zona e ftohtë dhe 4 nga vendi i katërt që pa kombinacionin e Kupës së Shqipërisë të dërgon në turin e parë të Europa League. Pika e marrë ka kënaqur trajnerin Gugash Magani që sot e ka lënë pushim skuadrën për t’iu kthyer fushës së blertë të mërkurën. Sfida e radhës për “Djemtë e Detit” është ajo kundër Kukësit, që me barazimin e fundit në shtëpi kundër Vllaznisë i ka ndërlikuar shumë shanset për tu shpallur kampion.

Në dispozicion të Maganit për këtë takim rikthehet një futbollist shumë i rëndësishëm në repartin difensiv. Mbrojtësi Bojan Markoviç ka shlyer pezullimin e tre kartonëve të verdhë kundër bardhebluve dhe është i gatshëm kundër Kukësit. Ndërkohë në mesfushë situata nuk është fortë pozitive, përveç Bledar Hodos që duket se ka mbyllur sezonin për shkak të një dëmtimi në menisk, edhe gjendja e Ardit Hilës nuk duket shumë optimiste. 24-vjeçari mungon prej tre ndeshjesh për shkak të një problemi në gjurin e djathtë dhe shpreson që të jetë gati kundër Kukësit. I kontaktuar nga “Telesport.al” mesfushori deklaroi se po vijon me fazën e rikuperimit dhe shpreson që të jetë gati kundër kuksianve. “Prej disa ditësh po vijoj me fazën e rikuperimit dhe shpresoj që deri në ndeshjen me Kukësin ta kem hedhur pas krahëve dëmtimin. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe shpresoj që të jem në fushë për të ndihmuar skuadrën me objektivin për të regjistruar një tjetër rezultat pozitiv”, tha Hila