Pasi zgjidhën çështjen e trajnerit duke zgjedhur Stavri Nicën dhe Ilir Biturkun për pjesën e mbetur të sezonit, tani drejtuesit e Teutës janë fokusuar tërësisht te merkato e janarit.
Duke parë rezultatet e dobëta që “djemtë e detit” kanë regjistruar deri më tani në Kategorinë Superiore në skuadër do të afrohen dy mbrojtës, një i djathtë dhe një qendër, një mesfushor dhe një sulmues që e njeh mirë portën.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se janë në kontakte me disa lojtarë të huaj, por deri tani nuk është gjetur akoma marrëveshja. Mësohet se qendërmbrojtësi dhe sulmuesi janë cilësorë, por për shkak se nuk është gjetur marrëveshja nuk preferojnë të japin informacion më të detajuar për ta.
Gjithashtu mund të ketë edhe ndonjë afrim tjetër, pasi trajneri i ri Stavri Nica akoma nuk është prezantuar me skuadrën dhe i njeh vetëm nga larg problematikat që ajo ka pasur gjatë këtij edicioni.
Ndoshta ai mund të kërkojë ndonjë lojtar që e njeh vetë ose e ka drejtuar më parë. Zv.trajneri Ilir Biturku ka qenë më pranë ekipit duke qenë se ka mbajtur postin e trajnerit në ekipin U-17 e di mirë se ku çalon ekipi.
Megjithatë, nga “djemtë e detit” nuk pritet të ketë vetëm afrime, por edhe largime. Pas Abe, Lenës, Hoxhaj dhe Dostit, që kanë ndërprerë marrëdhënien me Teutën, gjatë afatit kalimtar të janarit pritet të largohen edhe Onyeka Lucky Osemene, Ardit Shehaj. Gjithashtu ka dilema edhe sa i përket portierit Shpëtim Moçka.





