Teuta ka mbyllur fazën përgatitore në Ohër dhe sot ekipi ndodhet në Durrë. Gjatë 10 ditëve të fundit, Teuta ishte akomoduar në Ohër të Maqedonisë, në një prej hoteleve më luksoze të zonës, “Aqulian”. Trajneri Dobi pohon, se ekipi ka zhvilluar një fazë përgatitore mjaft cilësore. Nga ana tjetër, durrsakët kanë bërë lëvizje këtë merkato vere, që nuk është mbyllur ende. Të shumta janë afrimet që i kanë dhënë “fytyrë” tjetër skuadrës. Lojtarët që i janë bashkuar Teutës janë me kualitet të lartë me qëllimin për të bërë ekipin më të fortë. Gjatë qëndrimit në Ohër, Teuta zhvilloi edhe tri ndeshje miqësore, ku regjistroi dy fitore dhe një barazim.
Nga e hëna, durrsakët do të përgatiten një ditë në Durrës, ndërsa të martën nisen drejt Polonisë ku do të zhvillojnë fazën e dytë të përgatitjeve, për llogari të kampionatit të ri që do të startojë më 23 gushtit. Teuta e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e 7-të, kur rrezikoi deri në fund rënien nga Superiore.Por, ardhjet e emrave të rinj dhe atyre të konfirmuar nga një sezon më parë, si dhe emërimi i teknikut Dobi në krye të pankinës durrsake, ka rritur objektivat për sigurimin e zonës së Europa League. Vlen të theksohet, se “Djemtë e Detit” nuk e kanë përfunduar merkaton e blerjeve dhe kanë premtuar se do të afrojnë emra të rinj në skuadrën bregdetare.
Stafi ka lejuar futbollistët të pushojnë për dy ditë, për t’u rikthyer të hënën në fushën stërvitore. Ekipi po relaksohet pas kthimit nga Ohri për t’u nisur të martën e 29 korrikut drejt Polonisë, ku do të qëndrojnë 10 ditë. Grumbullimi i parë është caktuar paraditen e 28 korrikut në stadiumin “Niko Dovana”, ndërsa pas mbledhjes dhe njoftimit të futbollistëve me planin e përgatitjeve, nga ana e stafit teknik në krye me trajnerin Dobi, ekipi do të zhvillojë seancën e parë stërvitore.





