Notarët e rinj të Klubit Shumësportësh “Teuta” të Durrësit janë kthyer me medalje dhe rekorde kombëtare nga Kampionati Kombëtar i Notit për të Rinj, të Rritur dhe Veteranë në pishina të mbyllura, i zhvilluar dy ditë më parë në Tiranë. Në këtë eveniment kombëtar, për notarët e rinj nga mosha 9 vjeç deri në 16 vjeç dhe për të rriturit nga mosha 17 vjeç e lart, organizuar nga Federata Shqiptare e Notit, morën pjesë afërsisht 120 notarë të të dy kategorive nga gjashtë ekipe: “Flamurtari”, “Nobis” “Partizani”, “Te Stela”, “Teuta” dhe “Tirana”.

“Teuta” e Durrësit u shpall kampione për të rinj, ndërsa për të reja zuri vendin e dytë. “Tirana” u shpall kampione për të rritur, ndërsa “Te Stela” u kurorëzua kampione për të reja dhe të rritura. “Teuta” e Durrësit në këtë eveniment u përfaqësua me ekipet e plota të meshkujve dhe të femrave, ndërkohë që spikatën në rezultate ekipet e të rinjve dhe të rejave. “Teuta” për të rinj u përfaqësua nga Egi Gajo, Frenc Bërdaku, Aleksandër Ngresi, Ron Mujali, Ralf Qirjako, Spiro Goga, Kleidi Kadiu, Dalvi Elezi dhe Luka Sulejmani, dhe për të reja u përfaqësua nga Lisa Dhimgjini, Nargi Golashi, dhe Egi Dhuli.

Në Kampionatin Kombëtar të Notit për të Rinj, të Rritur dhe Veteranë në pishina të mbyllura, sipas kategorive respektive, u vendosën 38 rekorde të reja kombëtare, një pjesë e të cilave tani mbajnë edhe emrat e notarëve të rinj durrsakë të Klubit Shumësportësh “Teuta”, falë kjo edhe punës së trajnerëve Gjergj Ngresi dhe Jurgen Fici. Frenc Bërdaku vendosi dy rekorde kombëtare. Ai vendosi emrin e tij si mbajtësi i rekordit kombëtar për të rinj në 1500 metra stil i lirë. Por, suksesi i vërtetë i këtij notari të ri ishte në garën 800 metra stil i lirë ku, me kohën 8’28’12, theu edhe rekordin kombëtar për të rritur.

Sa i përket djemve, performancë të mirë treguan edhe Aleksandër Ngresi, Kleidi Kadiu, Spiro Goga etj. Në ekipin e femra ranë në sy rezultatet e larta dhe shumë premtuese të Nargi Golashit, e cila, ndonëse vetëm 13 vjeçe, nën drejtimin e trajnerit Eduard Bërdaku ka treguar se noti durrsak ka të ardhme të sigurt. Golashi u shpall nënkampione për të reja dhe për të rritura në garat 200 metra stil i lirë dhe 400 metra stil i lirë. Ndërkohë, në garën 800 metra stil i lirë, me kohën 10’13’06, Golashi vendosi rekord kombëtar për të reja dhe u shpall kampione për të reja dhe të rritura.

Në përfundim të Kampionatit Kombëtar të Notit për të Rinj, të Rritur dhe Veteranë, në bazë të pikëve të mbledhura nga rezultatet personale të notarëve, “Teuta” u shpall kampione për të rinj, nënkampione për të reja dhe nënkampione për të rritur. Rezultatet e arritura në të gjitha kategoritë janë dukshëm më të mira se sa në aktivitetet e kaluara, duke shtuar shpresat se shumë shpejt “Teuta” do të mbretërojë notin shqiptar.