Teuta-Kukësi nisën javën e katërt të Kategorisë Superiore në një sfidë direkte që u mbyll me barazim pa gola.
Të dyja këto skuadra janë duke i vuajtur javët e para të edicionin 2022-2023, ndërsa aktualisht renditen në dy vendet e fundit.
E vakët ishte përballja në “Niko Dovana”, ku si vendasit ashtu edhe “verilindorët” nuk mundën të gjenin rrugën drejt rrjetës.
Kukësi luajti një pjesë të plotë me 10 lojtarë, pasi në minutën e 45+1’ Ferreira doli me të kuq, duke lënë ekipin e Skënder Gegës me një lojtar më pak.
Nga ana tjetër, Bledi Shkëmbi, që debutoi këtë të premte në stolin e durrsakëve, nuk mund ta shfrytëzonte superioritetin si në numër, por edhe të të luajturit në shtëpi që të merrte pikë të plota dhe të bënte kthesën në rezultate.
Kështu pas raundit të katërt të Superiores, Teuta qëndron në vend të nëntë me 3 pikë, teksa Kukësi renditet në vend të fundit me 2 pikë.