DURRES, 27 prill 2013 – Teuta është shumë pranë realizimit të objektivit të sezonit, sigurimit të një vendi në kupat e Europës. Kur kanë mbetur vetëm dy ndeshje për t’u luajtur ekipi bregdetar ndodhet në vend të tretë, vetëm një pikë larg Kukësit, ndërkohë që ndjekësi më i afërt, Flamurtari ndodhet 4 pikë larg.
Me fitoren e arritur në Ballsh ndaj Bylisit ekipi i Gugash Maganit hedh një hap të sigurt për të qenë deri në fund pjesë e luftës sportive për vendin e dytë. Megjithëse në pjesën e parë durrsakët ishin në disavantazh, në 45 minutëshin e dytë arritën të shënonin dy gola me anë të Jakupit dhe Hados.
Fitorja me goleadë e Kukësit ndaj Flamurtarit 6-1 nuk i dha mundësi durrsakëve të riktheheshin në vendin e dytë. Gjithsesi dy ndeshjet e mbetura, ndaj Laçit dhe Tomorrit të Beratit duken të thjeshta në letër dhe në rast të një hapi fals të Kukësit, Teuta mund ta mbyllë këtë sezon në vendin e dytë.
Me Skënderbeun të shpallur kampion për të tretin vit rradhazi lufta për vendin e dytë dhe sigurimi i një “bilete” për në Europë është objektivi primar i tre skuadrave Kukësit, Teutës dhe Flamurtarit.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





