DURRES, 19 shkurt 2013– Sportdashësit durrsak do të kenë mundësi ta ndjekin ndeshjen Teuta-Laçi nga shkallët e “Niko Dovanës” pa patur nevojë të paguajnë asnjë qindarkë. Kështu që nesër për të ndjekur këtë sfidë pritet të ulen një numër i madh sportdashësish, të cilët do të mbështesin skuadrën e zemrës në këtë përballje kaq të vështirë.

Gjithsesi, edhe po të mos ekzistonte ky fakt, mjaftojnë inatet e vjetra që këto dy skuadra kanë me njëra-tjetrën. Tifozerit e të dyja skuadrave, e kanë nisur ndeshjen nga rrjeti social “Facebook”, ku dhe kanë shkëmbyer sharjet e para.

Në ambjentet e brendshme dhe të jashtme të stadiumit “Niko Dovana” do të jenë të pranishëm qindra forca policie. Duke parë armiqësit që tifozeritë e të dyja skuadrave kanë me njëra-tjetrën, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka nisur të marrë masat e duhura. Policia i trembet incidenteve që mund të ndodhin në shkallët e stadiumit “Niko Dovana”. Tifozeritë e të dyja skuadrave kanë armiqësi të hershme, kështu që spektakël pritet edhe nga shkallët. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/