Në fillim të edicionit, Teuta dhe Laçi, për forcën që treguan në merkato u shfaqën si pretendente kryesore në garën e titullit, por trofeu nuk fitohet në merkato dhe kolaudimi i skuadrës ka nevojë për kohë.

Gjatë kësaj periudhë, Teuta ka mbetur e vetmja skuadër e pamposhtur në Superiore, por në krahun tjetër ka vetëm një fitore, diçka jo shumë e denjë për një skuadër që kërkon titullin.

Gjashtë barazimet e marra e kanë penalizuar deri diku Teutën në këto momente në garën për kreun, por në një sezon të gjatë diferencat aktuale nuk janë të pamundura për t’u zbutur.

Problemi kryesor i ekipit është që shënon pak dhe përtej mbrojtjes më të mirë të kampionatit durrsakët kanë për momentin dhe sulmin më negativ bashkë me Bylisin.

Mbi të gjitha këtë javë do të gjejë përballë dhe një Laç të karikuar pas emërimit në stol të Shpëtim Duros, që do të përpiqet ta nisë me këmbën e mbarë te kurbinasit, që humbja me Tiranën në shtëpi i ka tronditur paksa.

Kurbinasit i besuan një trajneri me përvojë përpara kësaj ndeshjeje dhe serinë prej 2 ndeshjeve pa fitore, bardhezinjtë do të përpiqen ta prishin pikërisht në “Niko Dovana”.

Do të jetë edhe një duel mes Nwabuezes, shënuesit më të mirë të Superiores dhe mbrojtjes më të mirë të kampionatit, por dhe një duel mes Duros dhe Martinit në stol, me të parin që projektin e Laçit e pranoi për një fakt të thjeshtë, sepse beson te forca e kurbinasve.

Teuta-Laçi e kësaj të diele do të jetë dhe përballja që mund të përcaktojë të paktën për momentin, se cila prej dy skuadrave e ka më tepër stofin për të garuar për titull, duke larguar dhe frikën e shfaqur dukshëm në këto javë, për të mos humbur.