2korrik 2015 – Mihani, Magani dhe Çyrbja janë tre lojtarët e afruar së fundmi nga Teuta. lojtarët dolën në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa disa të tjerë i'u bashkuan Teutës për të kryer provë. Bëhet fjalë për mbrojtësin brazilian Alan, Andon Omeraj dhe Lamaj. Drejtuesit e klubit durrsak kanë kryer edhe seleksionimet e para, duke larguar disa prej lojtarëve që ishin pjesë e skuadrës përgjatë sezonit të kaluar. Premci, Hoxhallari, Brahja, Peposhi, Deliallisi, Stafa, Cota, etj, nuk do të jenë pjesë e skuadrës së teutës për sezonin e ri. Teuta ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka mbajtur një fjalim të shkurtër përpara skuadrës, në ditën e parë të nisjes së përgatitjeve, ku ka kërkuar impenjim maksimal nga të gjithë lojtarët që do të jenë pjesë e "djemve të detit" përgjatë sezonit të ri futbollisitik. Fillimisht, numëri një i Teutës, ju uroj mirëseardhjen lojtarëve të ardhur rishtas në skuadër dhe sezon të suksesshëm. "Së pari dua t'u uroj mirëseardhjen lojtarëve të rinj dhe kërkoj nga ju të vjetrit, t'u qëndroni sa më pranë, me qëllim që ata të ndihen sa më mirë. Gjithashtu, i uroj skuadrës suksese përgjatë sezonit të ri. Unë do të jem pranë jush më shumë se kurdoherë tjetër dhe pres prej jush të jepni maksimumin në fushë dhe jashtë saj.” Presidenti Hasanbelliu shpalli përpara skuadrës dhe objektivin që Teuta do të ketë për këtë sezon të ri futbollistik, i cili do të jetë prerja e një bilete për në Europa Ligë. "Skuadra ka ndryshuar shumë. Thuajse 60% e lojtarëve të sezonit të shkuar nuk do të jetë më pjesë e Teutës. Kemi afruar disa lojtarë dhe do të afrojmë edhe disa të tjerë, me qëllim të ndërtojmë një skuadër cilësore dhe konkuruese. Duke parë organikën e skuadrës dhe lojtarët që do të duam të afrojmë, pretendimi ynë për këtë sezon do të jetë i qartë, minimumi duhet të presim një biletë për në Europa Ligë. Unë kam besim tek stafi teknik dhe tek ju si lojtarë, prandaj përpiquni të jepni më të mirën tuaj në fushën e lojës', shtoi Hasanbelliu. Në ditën e parë të përgatitjeve për sezonin e ri, presidenti Hasanbelliu prezantoi zyrtarisht përpara skuadrës edhe trajnerin Gugash Magani dhe stafin e ri teknik. "Skuadrën ia kemi besuar Gugash Maganit, tek i cili kemi shumë besim. Në një farë mënyre i kemi një borxh Maganit, pasi bëmë një gabim shumë të madh që e larguam dy sezone më parë, ndërkohë që skuadra po shkonte shumë mirë. Por arsye e largimit ishte fakti se nisëm një bashkëpunim me një kompani të huaj, bashkëpunim që nuk shkoi sipas parashikimeve. Dua që të gjithë ju lojtarët të jemi korrekt me trajnerin dhe të zbatojnë detyrat që ai i'u delegon. Stafi teknik do të përbëhet nga Magani, Dervishi, Kapllani dhe Ahmataj, me të cilët do të punoni. Ju uroj suksese", mbylli fjalën e tij para skuadrës numëri një i Teutës.  Teuta pritet të bëjë të paktën edhe dy goditje të tjera përgjatë merkatos verore, mundësisht para se të niset për fazë përgatitore drejt Bullgarisë. "Do të përforcohemi akoma gjatë rrugës. Skuadra që shikoni sot do të përforcohet me të paktën dy tre lojtarë shumë cilësor. Objektivi ynë është të blejmë një sulmues me eksperiencë dhe një qendërmbrojtës", deklaroi Hasanbelliu.