Është Teuta surpriza më e bukur e këtij fillim sezoni në Kategorinë Superiore. Pas 2 javëve të para, durrsakët kryesojnë të vetëm klasifikimin, me pikë të plota. Forca e kësaj Teute bazohet te grupi. Megjithatë në fushë dhe jashtë saj, skuadra e Maganit e ka një lider dhe ai është kapiteni Nijas Lena, i cili në verë la kampionët në fuqi të Kukësit për tu rikthyer në Niko Dovana.
Përpara fillimit të kampionatit, Lena kishte premtuar se Teuta do të jetë një skuadër pretendente në këtë sezon dhe deri tani edhe pse janë luajtur vetëm 2 javë mesfushori shqiptar nga Maqedonia e ka mbajtur fjalën. Shiriti i kapitenit është një stimul më shumë për Nijas Lenën që kërkon të lerë shenjë në aventurën e tij të dytë te Teuta.Të flasësh për titullin kampion duket diçka e tepruar në këto momente, por Lena dhe trajneri Magani i janë afruar shumë trofeut të kampionit kur të dy bashkë ishin pjesë e Flamurtarit në sezonin 2010-2011 dhe rivalizonin me Skënderbeun.
Gjithsesi shpresa vdes e fundit, dhe pas këtij fillimi shumë të mirë, 31-vjeçari nga Struga ëndërron titullin. Megjithatë, në të njëjtën kohë si një kapiten i vërtetë, Lena i bëri thirrje skuadrës të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të vazhdojë të luajë mirë për të afruar edhe sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Ndeshjen e rradhës Teuta e ka ndaj Flamurtarit. Përballë ish skuadrës së tij Lena do të kënaqej vetëm me 3 pikët.





