Durrës, 2 shtator 2014 – Trajner i Teutës, Hasan Lika mbetet optimist se skuadra do ta marrë vetën nga starti jo i mirë i kampionatit. Durrsakët në 2 javët e para të Superiores kanë pësuar 2 humbje dhe e shohin veten në fundin e tabelës së klasifikimit.
“Në përgjithësi zhvilluam një ndeshje të mirë. Patëm shumë raste, i shkuam shumë pranë golit por na mungoi finalizimi. Kemi bërë disa gabime, por në përgjithësi jemi përmirësuar në shumë aspekte dhe këtë do vazhdojmë të bëjmë edhe në ditët në vijim. Jemi të ndërgjegjshëm që duhet të punojmë edhe më shumë dhe të përmirësohemi më tej. Lojtarët kanë besimin tonë dhe besoj se do të bëjnë mirë në ndeshjet në vijim. Disa janë të rinj, por shumë të talentuar, ndaj kam besim që do të shfaqin më të mirën e tyre në takimet e tjera. Sigurisht jemi të zhgënjyer për rezultatin dhe mënyrën si shkoi ndeshja. Kjo jo vetëm për gabimet tona , por edhe për meritë të kundërshtarit. Kemi bërë disa afrime së fundi dhe shpresoj që të ambientohen shpejt dhe ti shërbejnë ekipit”, thotë Lika.
Për këtë arsye Lika u ka kërkuar reagim lojtarëve dhe të hedhin pas sfidat me Flamurtarin dhe Vllazninë. Gjithsesi te kampi i “Djemve të Detit” nuk mungon besimi se gjithçka do të lihet pas.
Tashmë kampionati do të jetë pushim për shkak të ndeshjes së ekipit kombëtar, ndërkohë që java e ardhshme do të luhet në datën 10 shtator ku Teuta do të udhëtojë në Elbasan për t'u ndeshur me ekipin vendas.
Për shkak të rikonstruksionit të stadiumit "Elbasan Arena" ndeshja e Teutës me Elbasanin mund të zhvillohet në fushën sportive të Peqinit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





