DURRËS, 11 janar 2015 – Teuta ka zhvilluar një lojë mjaft të mirë në miqësoren e zhvilluar në Niko Dovana përballë ekipit të Tiranës që këtë sezon është edhe pretendent për kampion. Trajneri Begeja ka hedhur në fushë të gjithë lojtarët e afruar në merkato si Brahja, Kuli dhe Cota dhe kanë qenë pikërisht këta lojtarë që i kanë sjellë një tjetër lojë ekipit durrsak, ku Teuta kishte në fushë këtë formacion: Rizvani, Kotobelli, R.Hoxha, Brahja, E.Hoxha, Dita, Hodo, Korreshi, Peposhi, Kuli, Cota.
Loja ka qenë e bukur dhe e fortë me raste nga të dyja ekipet dhe e para që ka shënuar ka qenë Tirana me anë të Bucic, por avantazhi nuk ka vazhduar gjatë pasi sulmuesi i sapoardhur Cota ka treguar se është ambientuar shpejt me ekipin durrsak dhe ka barazuar rezultatin ndërkohë që Peposhi ka shënuar golin e dytë për Teutën.
Loja ka vijuar e fortë, por Tirana ka arriur në fund barazimin 2-2 me anë të një 11 metërshi të ekzekutuar nga Bakaj. Në këtë mënyrë ka përfunduar kjo ndeshje ku Teuta ka treguar se është një ekip shumë i fortë se vitin e kaluar dhe se tashmë të gjithë janë optimistë se me këtë grup që është forcuar pas merkatos së dimrit Teuta do të ngjitet edhe më lart në tabelë dhe sinjal domethënës për këtë ishte pikërisht kjo miqësore që i shërbeu si test trajnerit Begeja për të parë gjendjen e skuadrës dhe ky test rezultoi mjaft pozitiv për djemtë e detit.





