Skënderbeu–Teuta 1-0
Shënues: Latifi 7′
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Osmani, Radas, Arapi, Progni, Lilaj, Esquerdinja (Orelesi81’), Latifi (Abazi 76’), Xhejms, Salihi. Trajner: Mirel Josa
Teuta: Moçka, Lukiç, Shkalla, Hoxha, Kotobelli, Musta (Kadriu72’), Hila, Lena, Dita, Lamçe, Magani Trajner: Gugash Magani
Ndonëse në mungesë të plotë të shkëlqimit, madje në pozitat e skuadrës inferiore sa i përket përqindjes së administrimit të lojës, e gjithashtu për rastet e munguara, skuadra e Skënderbeut ka mundur të ruajë ritmin e liderit të kampionatit, si dhe distancën prej 4 pikësh nga Partizani i vendit të dytë, falë fitores minimale 1-0, në shtëpi përballë Teutës. Ka mjaftuar goli i realizuar nga Latifi që në minutën e 7’ të takimit, që kampionët në fuqi të hipotekonin një fitore, që më së shumti meritohej nga Teuta.
Ekipi i drejtuar nga Magani, veç gabimit në episodin e pësimit të golit, ka bërë gjithçka shumë mirë, por pa fat dhe sukses në finalizim. Për të mbajtur më kot gjallë shpresat e durrsakëve deri në vërshëllimën e fundit, kontribuoi edhe Moçka i cili priti një penallti të diskutueshme, të ekzekutuar nga bomberi Salihi, por gjithsesi rezultoi e kotë çdo përpjekje e Teutës për të barazuar shifrat dhe për të shmangur rënien në vendin e katërt, ndonëse me pikë të barabarta me Kukësin e vendit të tretë, 1 më shumë se Tirana në vend të pestë.
Pjesa e I- Ndonëse ka nisur e qetë në të dyja kampet, ndeshja është zhbllokuar që në minutën e 7’ të saj. Më shumë se për ndonjë aksion apo lojë të rrjedhshme të kampionëve dhe kryesuesve në fuqi, këta të fundit kanë gjetur shumë shpejt avantazhin. Një gabim i rëndë i Hoxhës në mbrojtje që në fillim të ndeshjes, i cili nën presionin e Hamdi Salihit gabon në administrimin e topit duke ia dorëzuar atë sulmuesit të Skënderbeut, Xhejms, shumë pranë zonës, i ka kushtuar Teutës, disavantazhin, teksa vendasit kanë shënuar me anë të Liridon Latifit, për të kaluar në epërsi 1-0. Latifi ka realizuar pas shërbimit të Xhejms, duke gjuajtur në djagonale, për të dërguar topin në rrjetë.
Avantazhi i ka dhënë Skënderbeut qetësinë për të administruar lojën, ndërkohë që në kampin tjetër, goli i pësuar ka detyruar ekipin e Teutës të shfaqet më kërkuese. Për plot 40 minutat e mbetura të pjesës së parë, të dyja skuadrat janë përballur me grintë, me durrsakët më agresivë në kërkim të golit të barazimit me Lamçen, Maganin dhe Lenën, por pa sukses, sikurse dhe Skënderbeu në tentativat për të thelluar avantazhin, me Salihin dhe Esquarinjën.
Pjesa e II- Skuadra e Teutës ka vijuar ndeshjen, aty ku e kishte lënë me mbylljen e pjesës së parë, në sulm, në kërkim të golit të barazimit. Durrsakët nuk kanë ndalur për asnjë moment presionin e tyre duke e zhvendosur lojën thuajse për të gjithë fraksionin e dytë të lojës, në gjysmëfushën e Skënderbeut.
Veç presionit, administrimit të topit dhe volumit të lartë të lojës, Teuta ka arritur të krijojë edhe rastet për shënim, por pa sukses në finalizim. Në kampin tjetër, Skënderbeu, më shumë se për të dyfishuar rezultatin u impenjua në ruajtjen dhe administrimin e epërsisë me një gol, por në një prej sulmeve sporadike të vendasve, gjyqtari Meta ka akorduar 11-metërsh në favor të kampionëve, pas një ndërhyrje ndaj Abazit, e dyshimtë jo vetëm për nivelin e ndërhyrjes, por mbi të gjitha për ekzistencën e saj jashtë zone. Një penallti e ekzekutuar nga Salihi dhe e pritur nga Moçka, i cili ka mbajtur gjallë shpresat e Teutës edhe për pak minuta, deri në përfundimin e takimit, i cili u mbyll me rezultatin e vendosur që në minutën e 7’ të takimit, 1-0 për Skënderbeun.